Nëse dëshironi të lini duhanin, bëjeni deri në moshën 35 vjeçare

Nëse dëshironi të lini duhanin, bëjeni deri…

Doni që të lini duhanin? Sa më shpejt aq më mirë. Në këtë përfundim ka arritur një anketë e gjerë statistikore e kryer në Shtetet e Bashkuara, rezultatet e të cilës u botuan në revistën “Jama Network Open”. Të dhënat tregojnë se nëse pirja e duhanit ndërpritet deri në moshën 35 vjeçare, rreziku i vdekjes është po aq i vogël sa ai i jo-duhanpirësve. Por ata që e lënë më vonë ose nuk e lënë fare, rrezikojnë të vdesin më herët, dhe sidomos të sëmuren nga sëmundje të lidhura drejtpërdrejt me duhanin.

Të dhënat e sondazhit

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 34 milionë të rritur pinë duhan, dhe vdekjet nga duhani janë rreth 530.000 çdo vit. Më shumë se 550.000 të rritur midis moshës 25 dhe 84 (mosha mesatare 48.9 vjeç) morën pjesë në analizën e kryer në studimin e ri.

Ata plotësuan një pyetësor midis janarit të vitit 1997 dhe dhjetorit 2018. Të dhënat e tyre u lidhën më pas me ato që lidhen me vdekjet në vend. Sipas të dhënave rreth 75.000 nga pjesëmarrësit në këtë studim kishin vdekur deri në fundin e 2019.

Rreziku i vdekjes varet nga mosha në të cilën ndaloni pirjen e duhanit

Krahasuar me jo-duhanpirësit, duhanpirësit kishin një shkallë të konsiderueshme më të lartë të vdekshmërisë, e shkaktuar veçanërisht nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e mushkërive. Tre sëmundje këto të lidhura drejtpërdrejt me duhanin.

Po ashtu, të dhënat treguan se mosha në të cilën dikush e lë duhanin, luan një rol shumë të rëndësishëm në rrezikun e prekjes nga sëmundjet dhe vdekjet. Midis pjesëmarrësve në studim, ata që e lanë duhanin brenda moshës 45 vjeç, e ulën me deri 90 për qind rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Ndërkohë ata që e lanë duhanin para moshës 35 vjeç, patën një vdekshmëri të krahasueshme me atë të jo duhanpirësve. Megjithatë, për duhanpirësit që e lënë duhanin midis moshës 45 dhe 54 vjeç, shkalla e vdekshmërinë e lidhur me pirjen e duhanit ishte 47 për qind më e lartë se ajo e jo duhanpirësve. Por edhe pse më pak, përfitimi i lënies së duhanit edhe në këto mosha është gjithashtu i rëndësishëm, në krahasim me vazhdimin e pirjes së duhanit.

Edhe reduktimi i konsumit është i dobishëm

Dhe në rast se vërtet nuk mund ta lini dot duhanin, është mirë të dini se zvogëlimi i numrit të cigareve të pira në ditë mund të ndihmojë. Kjo tregohet edhe në studimin e lart-përmendur. Të dhënat dolën duke i ndarë pjesëmarrësit sipas përkatësisë së tyre etnike: krahasuar me popullatën e bardhë jo-hispanike, individët me ngjyrë hispanikë dhe jo-hispanikë  që  kishin një frekuencë dhe intensitet më të ulët të pirjes së duhanit dhe filluan ta pinin duhanin në një moshë më të madhe.

Grupi i parë kishte një rrezik vdekshmërie 3 herë më të lartë sesa jo-duhanpirësit, ndërsa grupi i dytë vetëm 2 herë më të lartë. Për këtë arsye, sipas autorëve, fushatat kundër duhanit duhet të përcjellin mesazhin se edhe ulja e numrit të cigareve të pira në një ditë, mund të jetë një objektiv i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit.

Vendosini vetes një qëllim konkret

Në Itali numri i duhanpirësve është rritur kohët e fundit. Sot gati 1 në 4 italianë pi duhan (24.2 për qind, 12.4 milionë njerëz). Ndër këta, meshkujt e moshës 25 deri në 44 vjeç janë ata që sipas studimit më të fundit të publikuar këtë vit nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë, pinë më shumë duhan.

Më shumë se 20 cigare në ditë. Studime të tilla, me shifra të sakta dhe statistika të bollshme, mund t’i ndihmojnë këto kategori duhanpirësish që t’i vendosin synim vetes për lënien e duhanit. Njohja e pasojave konkrete të varësisë, bazuar në moshën tuaj dhe shpeshtësinë e pirjes së duhanit, mund të jetë një nxitje dhe motivim shtesë për të hequr dorë nga ky ves kur jeni ende të  rinj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit