
Meliha Gjuzi ndodhet në një përballje të pabarabartë me emra të njohur të politikës dhe institucioneve, ndërsa pretendon se i është marrë me mashtrim prona e trashëguar nga babai në zonën e Saukut, Tiranë. Ajo akuzon ish-deputetin Lad Kosta për falsifikim dokumentesh dhe uzurpim të një prone prej 9 dynymë tokë.
Sipas saj, gjithçka ka nisur nga Jolanda Hidri, nusja e vëllait të Melihasë, e cila dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e tokës pa dijeninë e bashkëshortit, dhe ia ka kaluar pronën Lad Kostës në mënyrë të paligjshme.
“Prona është e shenjtë dhe me fe. Edhe të vdesësh për tokën tënde nuk është turp – turp është të bësh turp”, shprehet Gjuzi me lot në sy.
Ajo deklaron se pas Kostës qëndron mbështetja e figurave të larta politike si Arben Ahmetaj, ish-zv/kryeministër, dhe Erion Veliaj, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës. Meliha thotë se ndërtimet e paligjshme në tokën e saj janë bërë me leje të heshtur dhe mbështetje politike.
Ndërkohë, një tjetër figurë e përfshirë është Met Rrumbullaku, ish-drejtor i Policisë së Shtetit. Sipas denoncimit, ai ka përdorur policinë për të larguar me forcë Melihën dhe familjarët nga prona, ndërsa i ka hapur rrugë ndërtimeve të Kostës. Ajo pretendon gjithashtu se vëllai i Rrumbullakut është prej vitesh partner biznesi me Lad Kostën.
Gjuzi thotë se ka marrë kërcënime të përsëritura:
“Kujdes nga makina… Mos dil natën… Ai të betonon aty dhe s’të gjen njeri!”
Në një tjetër deklaratë të fortë, ajo kujton fjalët e ish-deputetit:
“Nëse nuk e marr atë tokë, do t’ju vras!”
Përmes TVA News, Meliha Gjuzi i bën thirrje autoriteteve të ndërhyjnë menjëherë, të shembin ndërtimet e paligjshme në tokën e saj dhe të kthejnë pronën tek pronarët legjitimë autoktonë.