Policia e Shtetit ka njoftuar se më 10 tetor 2024, për shkak të vizitës zyrtare të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Tiranë, do të merren masa të rrepta sigurie, të cilat do të ndikojnë në trafikun e kryeqytetit dhe zonave përreth. Këto masa përfshijnë bllokimin e disa rrugëve kryesore, gjë që do të sjellë kufizime të qarkullimit për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 10:00 deri në 11:30 dhe nga ora 17:00 deri në 18:00, aksi i vjetër Kashar-Rinas do të jetë plotësisht i bllokuar. Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt aeroportit këshillohen të përdorin autostradën e re Kashar-Rinas për të shmangur vonesat.
Gjithashtu, do të bllokohen edhe disa segmente të tjera rrugore në Tiranë, përfshirë:
Nga Rinasi deri te Qafa e Kasharit dhe Mbikalimi tek Casa Italia
Nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”
Unaza e Re (Astir) dhe Rrethrrotullimi i Saukut
Rruga e Elbasanit
Në qendër të Tiranës, bllokimet do të prekin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel Dajti deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe rrugët përreth, përfshirë: “Ismail Qemali”, “Papa Gjon Pali II”, “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e Lirë”, “Zhan D’Ark”, dhe “Xhorxh Bush”.
Këto kufizime janë të lidhura me itinerarin e vizitës së Presidentit Erdoğan, i cili do të zhvillojë një sërë takimesh me autoritetet shqiptare. Policia paralajmëron qytetarët për bllokime të pjesshme gjatë gjithë ditës, në varësi të aktiviteteve që do të zhvillohen.