
Netanyahu thotë se shtyrja e dasmës së të birit është një kosto personale, ndërsa Izraeli përballet me humbje të mëdha nga lufta
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik pas deklaratës së tij se shtyrja e dasmës së djalit për shkak të luftës me Iranin përbën një “kosto personale”. Deklarata, e bërë përballë Spitalit Soroka të dëmtuar nga një raketë iraniane, u konsiderua si egoiste dhe jashtë realitetit nga shumë izraelitë.
Duke folur në një ton solemn, Netanyahu e krahasoi situatën aktuale me bombardimet e Blitz-it në Britani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se populli izraelit po përjeton një gjendje të ngjashme lufte dhe theksoi se familja e tij është prekur, duke përmendur shtyrjen e dytë të dasmës së djalit të tij, Avner, për shkak të pasigurisë.
Në fjalën e tij, Netanyahu përmendi se e fejuara e Avnerit dhe bashkëshortja e tij, Sara Netanyahu, janë prekur emocionalisht nga kjo situatë. Ai e përshkroi Sarën si një “heroinë”, duke thënë se e ka përballuar me shumë dinjitet këtë zhgënjim.
Komentet e kryeministrit, në një kohë kur vendi përjeton tensione të thella dhe viktima të shumta, kanë ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale dhe mes politikanëve të të gjitha spektrave. Shumë prej tyre e akuzojnë atë se po e përdor vuajtjen kombëtare për përfitime personale dhe propagandë.
Sipas autoriteteve izraelite, 24 civilë janë vrarë deri tani në përballjen me Iranin. Ndërkohë, organizatat e të drejtave të njeriut në SHBA raportojnë për të paktën 263 civilë iranianë të vrarë pas bombardimeve izraelite.
Pakënaqësia publike u rrit më tej pasi mediat zbuluan se Netanyahu kishte planifikuar të merrte disa ditë pushim për dasmën e djalit, e cila ishte parashikuar për të hënën, pavarësisht kërcënimeve dhe protestave në rritje.
Anat Angrest, nëna e një pengu të mbajtur në Gaza që nga tetori 2023, reagoi ashpër duke thënë: “Kam 622 ditë në ferrin e Gazës”. Postimi i saj në rrjetin X u shpërnda gjerësisht.
Deputeti Gilad Kariv e quajti Netanyahun një “narcist pa kufij”, duke shtuar: “Ka familje që nuk po shtyjnë dasmat, sepse nuk kanë më kë të martojnë.” Ai gjithashtu kritikoi epitetin “heroinë” për Sarën Netanyahu, duke thënë se heronjtë e vërtetë janë mjekët që sakrifikojnë netët në spitale dhe mësuesit që mbajnë gjallë arsimin online.
Gazetari Amir Tibon e përforcoi kritiken, duke thënë se Netanyahu, edhe në momentet kur vendi ka nevojë për shembull personal, kujdeset vetëm për imazhin dhe interesin e tij.