Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, pasi Ankaraja njoftoi se po kërkon një “Red Notice” të Interpolit për udhëheqësin kontrovers, nën akuzat për gjenocid. Përplasja verbale vjen në një kohë tensionesh më të gjera mes dy aleatëve të SHBA-së, pasi Turqia u zemërua nga sulmet e fundit ajrore të ushtrisë izraelite ndaj një baze ajrore në Siri.
Një “Red Notice” i Interpolit është një kërkesë drejtuar policive në mbarë botën për të lokalizuar dhe arrestuar përkohësisht një person të kërkuar, në pritje të ekstradimit.
Në një deklaratë në platformën X të premten, zyra e Netanyahut e cilësoi Erdoganin si “një diktator antisemit, i cili ka masakruar kurdë, strehon terroristë të Hamasit, pushton gjysmën e Qipros dhe burgos një numër rekord gazetarësh dhe politikanësh që e kundërshtojnë.”
Udhëheqësi turk “tani kërkon ta shtrijë agresionin e tij kundër Izraelit edhe në Siri. Izraeli nuk do ta tolerojë këtë,” – theksohej në deklaratë.
“Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, demokracisë së vetme të vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të çojë askund,” – thuhej më tej.
Më herët të premten, ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, deklaroi në X se Netanyahu ishte në mesin e 35 të pandehurve të kërkuar lidhur me “një sulm” ndaj flotiljes së drejtuar nga aktivistët “Global Sumud Flotilla”, e cila synonte të thyente bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës. Akuzat përfshijnë gjenocid, krime kundër njerëzimit, torturë, privim nga liria, rrëmbim të një mjeti transporti dhe dëmtim prone.
“Ne e refuzojmë kategorikisht idenë se qeveria e Netanyahut, e cila po ndjek një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse,” – tha Gurlek.
Marina izraelite ka ndaluar disa autokolona me anije në ujërat ndërkombëtare që lundronin drejt Gazës. Rasti më i fundit ndodhi në maj, kur më shumë se 400 aktivistë u ndaluan në rreth 50 anije. Aktivistët u deportuan në Greqi dhe pretenduan se ishin keqtrajtuar gjatë kohës që ndodheshin nën kontrollin izraelit.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar deklaroi në atë kohë se të gjithë pjesëmarrësit në “flotiljen provokuese” ishin të padëmtuar.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka krahasuar vazhdimisht Netanyahun me Adolf Hitlerin për shkak të luftës në Gaza dhe e ka akuzuar atë për kryerjen e gjenocidit ndaj palestinezëve. Netanyahu, nga ana tjetër, e ka cilësuar Erdoganin si “diktator antisemit” dhe e ka akuzuar për kryerjen e gjenocidit ndaj kurdëve.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka paralajmëruar Erdoganin që të mos e përfshijë vendin e tij “në aventura të rrezikshme në Siri”, pasi Ankaraja dënoi ashpër sulmet ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur më 18 gusht. Sulmi nuk shkaktoi viktima, por dëmtoi pistat e ndërtuara së fundmi.
Si Siria, ashtu edhe Turqia e mohuan pretendimin e Izraelit se trupa turke do të dislokoheshin në atë zonë. Edhe i dërguari presidencial amerikan për Sirinë dhe Irakun, Tom Barrack, i dënoi sulmet izraelite, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të panevojshëm.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) është aktualisht duke shqyrtuar padinë e Afrikës së Jugut kundër Izraelit për gjenocid. Ndërkohë, veçmas, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) lëshoi në nëntor të vitit 2024 urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli, i cili është palë në Statutin e GJND-së, por nuk është anëtar i GJPN-së, i ka mohuar akuzat.