
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron qytetarët të shmangin investimet në platforma që nuk kanë licencim në Shqipëri, pasi humbjet e mundshme nuk do të mbulohen nga ligji.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka lëshuar një paralajmërim të qartë për qytetarët shqiptarë, duke i këshilluar të mos përfshihen në investime përmes platformave të palicencuara në vend. Në fokus të veçantë është vendosur Netherex Pro, një platformë që sipas AMF-së operon jashtë çdo kuadri ligjor shqiptar.
Sipas deklaratës zyrtare të AMF-së, Netherex Pro nuk është regjistruar dhe as nuk ka marrë ndonjë licencë për të operuar në tregun shqiptar të investimeve financiare apo të kriptovalutave. Për rrjedhojë, investitorët nuk do të kenë asnjë mbrojtje ligjore në rast humbjesh apo mashtrimesh.
Netherex Pro, që sipas të dhënave është themeluar në Indi, i reklamon shërbimet e saj si falas dhe pa tarifa për shkëmbimin e kriptovalutave, çka e bën edhe më joshëse për qytetarët. Megjithatë, AMF nënvizon se këto praktika mund të jenë të rrezikshme dhe shpeshherë synojnë mashtrimin e investitorëve të papërvojë.
Autoriteti thekson se askush nuk mund të mbrojë interesat e investitorëve që zgjedhin të përdorin platforma të tilla të paregjistruara. Prandaj, çdo veprim i tillë mbetet në përgjegjësi të plotë të qytetarëve që vendosin të rrezikojnë.
Kjo nuk është hera e parë që AMF paralajmëron për aktivitetin e jashtëligjshëm të platformave të huaja online që targetojnë përdoruesit shqiptarë përmes rrjeteve sociale dhe reklamave të sponsorizuara.
Në përfundim, AMF apelon që çdo individ të verifikojë në faqen zyrtare të institucionit listën e subjekteve të licencuara përpara se të ndërmarrë çfarëdolloj investimi financiar ose me kriptovaluta.