New York Post: McGonigal e futi Berishën në “Listën e Zezë”!

New York Post: McGonigal e futi Berishën…

Në artikull thuhet se Berisha u fut në “Listën e Zezë” pasi u shpall non grata nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Bashkë me të në këtë listë u futën edhe politikanë të opozitës dhe biznesmenë.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetime për marrëdhëniet e biznesit të Charles McGonigal, një ish-punonjës i rangut më të lartë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Ndërsa hetimet vazhdojnë në dritë kanë dalë edhe lidhjet e tij me politikanë dhe biznesmenë shqiptarë, siç është kryeministri Edi Rama, apo një biznesmen shqiptaro-amerikan, të cilit dyshohet se i ka marrë më shumë se 225 mijë dollarë. Në këmbim, McGonigal do ta ndihmonte në avancimin e interesave të biznesmenit në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.

Sot New York Post i ka kushtuar një artikull çështjes “McGonigal”, ku ndër të tjera shkruan se në listën e zezë të ish-agjentit u fut ish-kryeministri Sali Berisha, një dyzinë politikanësh opozitarë dhe biznesmenë.

“Rreth një duzinë politikanësh të opozitës ose njerëz të biznesit që mbështesin partinë opozitare u shtuan në “listën e zezë” të McGonigal. Këtu përfshihej edhe ish-lideri i opozitës Sali Berisha, i cili u godit me statusin persona non grata dhe iu ndalua të udhëtonte në SHBA nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Fundjavën e kaluar, skandali i McGonigal luajti një rol kryesor në një protestë antiqeveritare në Shqipëri përpara ndërtesës kryesore të qeverisë, ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit për korrupsion të dyshuar për shkak të takimeve të tij me McGonigal. Pankartat me emrin e ish-agjentit të FBI-së ishin të kudogjendura”, shkruhet në artikull për “Listën e zezë” të  McGonigal.

Sipas hetimeve të hetuesve, McGonigal udhëtoi në Shqipëri ndërsa shërbente ende në FBI, ku dyshohet se u takua me politikanë të lartë të Ballkanit, përfshirë kryeministrin Edi Rama. McGonigal akuzohet se është përfshirë në lobim të dukshëm gjatë atij udhëtimi, në një rast duke këshilluar kryeministrin shqiptar të tregojë kujdes në ofrimin e licencave të shpimit të naftës për kompanitë e lidhura me Rusinë.

Në lidhje me hetimin e Washingtonit, prokurorët po shqyrtojnë tani udhëtimet e McGonigal në Evropë në vitet e fundit, gjatë të cilave ai thuhet se është takuar me zyrtarë qeveritarë nga Gjermania, Austria, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit