Studentët kanë nisur ditën e 21-të të protestës duke marshuar në ambientet e disa universiteteve në Tiranë, në përpjekje për të zgjeruar pjesëmarrjen në lëvizjen që prej tri javësh vijon kundër qeverisë.
Të rinjtë kanë hyrë në dyert dhe sallat e universiteteve, duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që t’i bashkohen protestës dhe të bojkotojnë procesin mësimor.
Studentët e Universitetit Politeknik kanë nisur marshimin drejt Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku kanë hyrë në sallat e leksioneve me thirrjet: “Bojkotoni mësimin” dhe “Bashkohuni me ne”.
Më pas, marshimi ka vijuar drejt Fakultetit të Ekonomisë dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Thirrje për bashkim me protestën janë bërë edhe në Universitetin e Arteve, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Gjatë marshimit nuk kanë munguar as sloganet kundër qeverisë dhe figurave politike. Studentët janë dëgjuar duke thirrur “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Erdhën studentët” dhe “Poshtë patronazhistët”.
Ndërkohë, në Universitetin e Mjekësisë, procesi mësimor raportohet se po vijon normalisht.
Edhe për këtë të hënë është paralajmëruar një tjetër tubim përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët pritet të vijojnë protestën e tyre në ditën e 21-të të saj.