Alok Mittra, 47 vjeç, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, është arrestuar në Itali. Ai është dënuar në vitin 2024 me 15 vite burg nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri.
Sipas autoriteteve shqiptare, Mittra është dënuar për “Ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimin e dokumenteve”, “Grupin e strukturuar kriminal” dhe veprat penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti kriminal me aktivitet ndërkombëtar, i cili organizonte kalimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet rezulton se, për një periudhë rreth gjashtëmujore gjatë viteve 2023-2024, grupi dyshohet se organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi.
Sipas dosjes hetimore, emigrantët silleshin fillimisht në Shqipëri nga Dubai. Për t’u pajisur me dokumentacion qëndrimi, atyre u siguroheshin kontrata pune fiktive dhe më pas leje qëndrimi shqiptare.
Pasi përfundonte kjo fazë, shtetasit e huaj vijonin udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke përdorur Shqipërinë si pikë tranziti.
Në këtë skemë, Mittra dyshohet se kishte një rol të drejtpërdrejtë në terren, duke u marrë me shoqërimin, transportimin dhe akomodimin e emigrantëve.
Sipas dosjes, pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, shtetasit nga Bangladeshi dërgoheshin fillimisht në një restorant pranë qendrës tregtare “City Park”, ku qëndronin për disa orë.
Lëvizja vijonte gjatë mbrëmjes. Emigrantët merreshin me automjete dhe transportoheshin në drejtim të Kukësit, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Kosovës.
Sipas SPAK, rruga e tyre nuk përfundonte në Kosovë. Nga aty, itinerari vijonte drejt Serbisë dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Hetuesit e kanë konsideruar aktivitetin si pjesë të një skeme transnacionale të organizuar për kalimin e paligjshëm të shtetasve të huaj.
Emri i Alok Mittrës është përfshirë edhe në një hetim më të gjerë të SPAK, ku 27 persona janë dërguar për gjykim si pjesë e dy grupeve të strukturuara kriminale.
Sipas SPAK, gjatë periudhës 2023-prill 2024, këto grupe dyshohet se organizuan kalimin e paligjshëm të më shumë se 650 shtetasve të huaj përmes Shqipërisë. Mes tyre kishte kryesisht shtetas nga Bangladeshi dhe Kameruni.
Hetimi ka zbardhur një skemë që niste jashtë Shqipërisë, me rekrutimin e emigrantëve përmes agjencive që vepronin në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kamerun.
Më pas, atyre u sigurohej punësim fiktiv në Shqipëri dhe përgatitej dokumentacioni i nevojshëm për qëndrimin në vend. Sipas SPAK, në këtë proces falsifikoheshin kontrata pune e qiraje, ftesa punësimi, certifikata profesionale dhe dokumente të tjera.
Për shërbimin, shtetasit nga Bangladeshi paguanin, sipas hetimit, nga 6 mijë deri në 8 mijë euro për person. Pagesat kryheshin kryesisht në Dubai dhe transferoheshin më pas drejt Shqipërisë përmes sistemit “Hawala”.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimit, autoritetet sekuestruan rreth 700 mijë dollarë, 400 mijë euro, 4 mijë paund dhe 520 mijë lekë.
Arrestimi i Alok Mittrës në Itali rikthen në vëmendje një prej personave të përfshirë në këtë dosje të gjerë të hetimit për trafikimin e emigrantëve.
Pas arrestimit, pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e 47-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ndaj tij është dhënë një dënim prej 15 vitesh burg nga Gjykata e Posaçme.