Pas më shumë se dy vitesh nga miratimi i ligjit për lojërat e fatit, qeveria ka përfunduar kuadrin ligjor që i hap rrugë licencimit të basteve sportive online në Shqipëri. Tashmë mbetet vetëm vendimi për hapjen e garës mes kompanive që synojnë të hyjnë në treg.
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) konfirmon se janë miratuar të gjitha aktet nënligjore, përfshirë edhe dy vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave që rregullojnë procedurat për pezullimin ose heqjen e licencave, si dhe administrimin e fondit të krijuar nga aktiviteti i basteve.
Megjithatë, ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të hapet procesi i aplikimeve. Sipas AMLF-së, kjo do të ndodhë vetëm pasi Komisioni i Licencave të vendosë nisjen e procedurës dhe të përcaktojë numrin e operatorëve që do të licencohen. Ligji parashikon deri në 10 licenca për platformat e basteve sportive online.
Modeli i ri përjashton plotësisht pikat fizike të basteve. Çdo lojtar do të duhet të identifikohet me kartë identiteti, ndërsa sistemi do të regjistrojë çdo veprim dhe do të përdorë algoritme të posaçme për llogaritjen e fitimeve, me synimin për të rritur kontrollin dhe transparencën.
Kriteret për kompanitë që duan të futen në treg janë të forta. Çdo subjekt duhet të ketë një kapital minimal prej 40 milionë lekësh, të ketë eksperiencë në industrinë e lojërave të fatit për të paktën 3 vite në minimum 3 shtete të BE-së ose OECD-së, si dhe të ketë realizuar një xhiro prej të paktën 2 miliardë lekësh gjatë vitit të fundit financiar.
Rikthimi i basteve sportive online vjen afro 7 vite pasi Shqipëria mbylli mbi 4 mijë pika fizike bastesh në të gjithë vendin, në kuadër të aksionit të njohur si “Fundi i Marrëzisë”, që hyri në fuqi më 1 janar 2019. Tani, bastet rikthehen, por vetëm në ekranet e telefonave dhe kompjuterëve.