Nga futbolli në politikë, Ozil merr postin në partinë e Erdoganit

Nga futbolli në politikë, Ozil merr postin…

Ish-futbollisti i njohur, Mesut Özil, është emëruar anëtar i bordit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Vendimi u mor gjatë kongresit të mbajtur të dielën në Ankara, ku Erdogan u rizgjodh kryetar i partisë për herë të nëntë, duke e udhëhequr atë që nga viti 2002.

Özil, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2023, ka pasur një karrierë të shquar me ekipe të njohura si Real Madrid, Arsenali apo dhe Kombëtarja e Gjermanisë, me të cilën fitoi Kupën e Botës në vitin 2014. Karrierën e tij e përfundoi në klubin turk, Istanbul Basaksehir.

Përfshirja e Özil në politikë nuk është surprizë, pasi ai ka qenë prej kohësh një mbështetës i Presidentit Erdogan. Në vitin 2019, Erdogan ishte dëshmitar në dasmën e tij me ish-misin e Turqisë, Amine Gulse.

Në prill 2023, mediat turke raportuan se emri i Özil ishte në listën e kandidatëve të AKP-së për zgjedhjet parlamentare të majit të atij viti. Kjo lëvizje erdhi pasi Presidenti Erdogan njoftoi se “emra befasues” do të shfaqeshin në listën e kandidatëve, duke përfshirë figura nga industria e sportit.

Lidhja e tij me politikën turke dhe mbështetja ndaj Erdogan ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve, sidomos pas largimit të tij nga Kombëtarja gjermane në vitin 2018, ku ai akuzoi federatën për racizëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit