Nga Kosova e 'përzunë' me ceremoni, kush është Vlora Hyseni, zarja e Agasit?

Nga Kosova e ‘përzunë’ me ceremoni, kush…

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është vënë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Masa është caktuar nga GJKKO, ndërsa ekzekutimi i saj nuk është bërë ende pasi Hyseni ndodhet jashtë Shqipërisë. Sipas raportimeve të mediave, ajo ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku merr pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme të botës.

Sipas të dhënave të publikuara deri tani, Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror”. Hetimi lidhet me dosjen e Ergys Agasit, ndërsa sipas akuzës së raportuar, ajo dyshohet se i ka përcjellë atij informacione shtetërore.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e nisi karrierën në fushën e inteligjencës në Kosovë. Në vitin 2010 iu bashkua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku më pas mbajti detyrën e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës.

Në vitin 2021, Hyseni u largua nga detyra në AKI. Në atë kohë, vendimi i shkarkimit e detyronte të dorëzonte materialet dhe pajisjet që kishte në ngarkim, ndërsa i rikujtohej detyrimi për ruajtjen e informacionit të klasifikuar.

Dy vite më vonë, emri i saj do të rikthehej në qendër të institucioneve shqiptare të sigurisë.

Nga Kosova në krye të SHISH

Më 17 mars 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi se i kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Propozimi u shoqërua në atë kohë me kundërshtime nga opozita, e cila kërkonte që të verifikoheshin më në detaje rrethanat e largimit të saj nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Pavarësisht debateve, më 3 prill 2023 Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Hysenin në krye të SHISH. Vetë institucioni e rendit atë si drejtoren e 11-të të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Sot, më pak se katër vite pas marrjes së drejtimit të SHISH, Hyseni është përballë një mase sigurie të vendosur nga GJKKO dhe një hetimi të SPAK që lidhet me një prej dosjeve më të rëndësishme të hetuara aktualisht.

Hetimi vijon dhe dyshimet e ngritura ndaj saj do të duhet të provohen përpara gjykatës. Deri në një vendim përfundimtar, Vlora Hyseni prezumohet e pafajshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit