Brenda vetëm 19 ditësh, nga 22 gushti deri më 9 shtator, autoritetet shqiptare sekuestruan 233.7 kilogramë kanabis të nisur nga Kanadaja. Dy prej ngarkesave, gjithsej 187.7 kg, u kapën në Portin e Durrësit, ndërsa 46 kg të tjera u zbuluan në aeroportin e Rinasit, të fshehura në valixhe. Sipas Policisë së Shtetit, dy ngarkesat e kapura në Durrës kishin një vlerë tregu prej rreth 2.2 milionë eurosh dhe përmbanin kanabis të llojit “Gelato”, i njohur për përqendrimin e lartë të THC-së. Droga dyshohet se ishte siguruar në Kanada dhe transportuar drejt Shqipërisë e më pas Kosovës, duke përdorur automjete të blera në Kanada dhe të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike.
Në operacionin e 22 gushtit, policia sekuestroi rreth 80 kg kanabis, të ndarë në 127 pako dhe të fshehur në një automjet të transportuar në kontejner detar. U arrestuan tre shtetas të Kosovës, ndërsa dy persona të tjerë, një nga Kukësi dhe një shtetas kosovar me banim në Kanada, u shpallën në kërkim. Më 28 gusht, në operacionin “Suitcases”, në Rinas u kapën rreth 46 kg kanabis në 89 pako, të fshehura në dy valixhe. U arrestua një 34-vjeçar dhe u proceduan penalisht dy gra. Ndërsa më 9 shtator, në Portin e Durrësit u sekuestruan edhe 107.7 kg “Gelato”, me vlerë të përllogaritur rreth 1.2 milionë euro, të fshehura në hapësira të modifikuara të një kamperi. Në këtë rast u shpallën në kërkim dy persona.
Sekuestrimet në Shqipëri vijnë në një kohë kur autoritetet europiane kanë evidentuar rritje të trafikut të kanabisit nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara drejt Europës. Sipas Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), gjatë vitit 2025 në portet e Antverpit dhe Roterdamit u sekuestruan rreth 21 tonë kanabis bimor në secilin port, me ngarkesat që vinin kryesisht nga Kanadaja. Në maj të këtij viti, autoritetet britanike kapën 12 tonë kanabis të nisur nga Kanadaja në Portin e Southampton-it, ndërsa autoritetet kanadeze kanë raportuar gjithashtu sekuestrime të sasive të mëdha me destinacion vende të BE-së. Për autoritetet, këto raste tregojnë një ndryshim në rrugët e furnizimit të tregut europian të kanabisit, me përdorimin në rritje të kontejnerëve dhe automjeteve tregtare për transportin e ngarkesave nga Amerika e Veriut drejt Europës.