Nga Londra në Mesdhe: Kroçera e orgjive për gra biznesmene

Nga Londra në Mesdhe: Kroçera e orgjive…

Detet e Mesdheut, dikur rrugë historike lundrimi, janë shndërruar në skenën e një eksperimenti social që, sipas kritikëve, po trondit themelet e shoqërisë dhe po godet institucionin e familjes. Kompania britanike “Killing Kittens”, e themeluar nga sipërmarrësja Emma Sayle dhe e kthyer në një biznes me vlerë rreth 15 milionë paund, ka organizuar kroçerën e parë seksuale, duke e paketuar këtë nismë nën kauzën e të ashtuquajturit “fuqizim i grave”, siç e prezanton vetë kompania.

Ky udhëtim i pazakontë, i dokumentuar nga afër nga gazetarja e “The Times”, Sophia Money-Coutts, u nis nga Barcelona drejt Monakos, Italisë dhe anasjelltas, duke transportuar rreth 630 pasagjerë. Përbërja e këtij grupi, që përfshinte persona nga 24 deri në 74 vjeç, sipas zërave kritikë, pasqyron degradimin e strukturave tradicionale, ku kufijtë e moshës dhe të etikës publike shkrihen në emër të argëtimit të shfrenuar. Me kabina që kushtonin nga 5 mijë deri në 35 mijë paund dhe bileta të shitura plotësisht, sipas kritikëve, ky event shënon normalizimin e një modeli ku morali shitet për luks.

Kompania e nisi aktivitetin vite më parë me festa private në shtëpi dhe ambiente luksoze në Londër, për t’u shndërruar më pas në një markë ndërkombëtare që tashmë organizon edhe udhëtime turistike në det. Në bord nuk mungonin festat, mësimet e kërcimit, ambientet e argëtimit dhe hapësirat e dedikuara për takime intime mes pjesëmarrësve. Sipas reportazhit të “The Times”, atmosfera në anije ndryshonte gradualisht me kalimin e orëve, ndërsa organizatorët kishin vendosur rregulla të detajuara mbi respektin dhe pëlqimin e ndërsjellë, të publikuara si në aplikacionin e eventit ashtu edhe në ambientet e anijes.

Prapa kësaj fasade argëtimi dhe luksi, shtrohet pyetja thelbësore e qëndrimit tonë ndaj këtyre dukurive: ku po shkon shoqëria kur bërthama e familjes sakrifikohet për fitime marramendëse? Për kritikët e kësaj nisme, normalizimi i ngjarjeve të tilla nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron vlerat themelore të bashkëjetesës, duke e kthyer shthurjen në një produkt të standardizuar për shtresën që mund të paguajë çmime stratosferike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit