
Mbrëmjen e së hënës SPAK organizoi një seri arrestimesh ku në pranga ranë të paktën 11 persona. Mes tyre emri më i bujshëm ishte ai i Erzen Breçanit, krahut të djathtë të Sali Berishës në drejtimin e Policisë gjatë kohës që demokratët qeverisnin.
Së fundmi është bërë publike edhe lista e plotë e emrave të arrestuar, të cilët dyshohet se funksiononin si një grup i strukturuar kriminal.
Erzen Breçani, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës është vënë në pranga mbrëmjen e të hënë, së bashku me Dedan Gjonin, shef seksioni për hetimin e Krimeve në Komisariatin numër 6. Ky i fundit dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje në bashkëpunim me grupin kriminal, ngjarje kjo që nuk ka ndodhur.
Bujar Germizi emër i njohur i botës së krimit në Kukës, është një tjetër person që u vu në prangat e policisë mbrëmjen e të hënës.
Në kërkim u shpallën disa persona të tjerë, të cilët nuk ndodhen në Shqipëri.
Besmir Mustafi, Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, Besmir Murtati apo edhe Artan Sulejmani janë tashmë në kërkim ndërkombëtar. Po ashtu edhe Ervin Mata një emër i njohur i botës së krimit është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe kryerje e veprimeve nga organizata kriminale.
Në kërkim janë shpallur edhe Albert Prenga dhe Bajram Gerbova.
Ndërsa për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje. Më herët, ajo ka qenë në Interpol dhe gjatë kohës që ka qenë aty, u ka dhënë informacione dy personave për të vrarë dy vëllezër, ngjarje kjo që nuk ka ndodhur.
Ndërkohë që planet për të vrarë kundërshtarët ndodhën midis 2019- 2020 në Durrës, Belgjikë dhe Holandë.
Kujtojmë që, ishte aplikacioni SKY ai që zbërtheu grupin kriminal, ku në total u lëshuan 11 urdhër arreste, që akuzohen për trafik droge në gjithë Europën. Ndërkohë pritet të shihet nëse do të ketë edhe persona të tjerë që do të bien në prangat e policisë.