Nga Ram Geci te Paqsor Buzi e Artan Sako, kush janë 31 të pandehurit e dosjes “Balluku”

Nga Ram Geci te Paqsor Buzi e…

Dosja hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka marrë përmasa të gjera, duke përfshirë 31 persona dhe subjekte, mes tyre ish-drejtues të institucioneve publike, zyrtarë të administratës dhe biznesmenë të njohur të sektorit të ndërtimit. Në fokus të hetimeve janë nëntë procedura tenderimi, ku SPAK dyshon për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Në media është publikuar lista e plotë e 31 personave dhe subjekteve të marra të pandehura në këtë dosje. Në të përfshihen 29 persona fizikë dhe dy kompani private. Mes emrave që spikasin janë pesë biznesmenët Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci.

Pesë biznesmenët dhe lidhja me tenderat publikë

Një nga episodet kryesore të hetimit lidhet me ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alko Impex General Construction” dhe “2T”.

Sipas hetimeve të SPAK, kompania “Alko Impex General Construction”, në pronësi të biznesmenit Arbër Abazi, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të parregullt nga kjo procedurë tenderimi. Abazi është marrë i pandehur për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa edhe kompania e tij përballet me akuzën e korrupsionit aktiv.

Dyshimi kryesor i prokurorisë lidhet me një vilë në kompleksin turistik “Green Coast”, në Palasë. Sipas SPAK, Abazi dyshohet se ka financuar punimet dhe investimet në këtë pronë në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij në tenderin e Lotit 7.

Vlera e investimit të kryer nga biznesmeni, sipas preventivit të punimeve të administruar nga SPAK, përllogaritet nga 288,616 deri në 410,526 euro. Prokuroria pretendon se për të fshehur pronësinë reale të vilës është përdorur edhe emri i ish-futbollistit Igli Tare, përmes kontratave të dyshuara si fiktive.

Në të njëjtën procedurë tenderimi është përfshirë edhe Artan Sako, i lidhur me kompaninë e ndërtimit “2T”, e cila fitoi tenderin së bashku me “Alko Impex General Construction”. Sako është marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh.

Një tjetër emër i njohur i sektorit të ndërtimit është Paqsor Buzi. Përmes kompanisë së tij “G.P.G. Company”, ai lidhet me tenderin për ndërtimin e Lotit 5 të Unazës së Madhe të Tiranës. Buzi është marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh në disa raste.

Në listë është edhe Ram Geci, kompania e të cilit ka fituar tenderin për ndërtimin e Lotit 3 të rrugës “Porto Romano-Durrës”, me një vlerë rreth 14 milionë euro. Edhe Geci akuzohet për falsifikim dokumentesh në disa raste.

Ky tender përbën procedurën e nëntë të përfshirë në hetimin ndaj Ballukut. Shtatë procedurat e tjera lidhen me lote dhe segmente të ndryshme të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa njëra me ndërtimin e Tunelit të Llogorasë.

Pandeli Carapuli dhe vila në kompleksin “White Rocks”

Një tjetër linjë e rëndësishme e hetimit lidhet me një vilë në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi. Për këtë episod është marrë i pandehur biznesmeni Pandeli Carapuli, së bashku me kompaninë e tij “Eurocol” sh.p.k.

Sipas hetimeve, vila dyshohet se është përfituar nga Belinda Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të zhvilluar në kohën kur ajo drejtonte “Albcontrol”.

Prokuroria pretendon se gjatë procedurës së prokurimit janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese, ndërsa përfitimi i dyshuar në favor të Ballukut ka qenë një vilë me vlerë rreth 145 mijë euro. Për të fshehur pronësinë reale të saj, sipas SPAK, janë përdorur kontrata porosie dhe qiraje, ku përfshihen emrat e Igli Tares dhe Joana Bushit.

Vila u sekuestrua në qershor të këtij viti. Ajo ndodhet në kompleksin “White Rocks” dhe, sipas të dhënave të publikuara në media, ka një vlerë aktuale të përllogaritur rreth 720 mijë euro. Në dosje përmenden edhe investime të tjera të dyshuara në pronë, përfshirë mobilimin, punimet e brendshme dhe ndërtimin e pishinës private, në një vlerë totale rreth 140 mijë euro.

Carapuli dhe kompania “Eurocol” akuzohen për pastrim parash në lidhje me këtë pasuri. Ndërkohë, sipas raportimeve në media, procedimi për korrupsion aktiv ndaj biznesmenit nuk vijon për shkak të parashkrimit të veprës penale. Për këtë arsye, tenderi i “Albcontrol” nuk është përfshirë si një procedurë e dhjetë në akuzën ndaj Ballukut për shkelje të barazisë në tendera.

Ervis Berberi dhe ish-zyrtarët e përfshirë në procedurat e tenderimit

Pjesa tjetër e listës përbëhet kryesisht nga ish-drejtues dhe zyrtarë që kanë pasur role në institucionet përgjegjëse për zhvillimin dhe administrimin e tenderave.

Një prej emrave më të rëndësishëm është Ervis Berberi, ish-drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndaj të cilit janë ngritur akuza për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në të nëntë procedurat nën hetim.

Në listë janë edhe ish-drejtues të tjerë, si Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Gjyli akuzohet për shkelje në procedurat e tenderimit dhe shpërdorim detyre, ndërsa Elezi për shkelje të barazisë në tre tendera.

Një pjesë e veçantë e dosjes lidhet me ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, ku janë përfshirë më shumë se dhjetë persona. Përveç shkeljes së barazisë në tendera, në këtë procedurë janë ngritur edhe akuza për shpërdorim detyre.

Mes personave të marrë të pandehur për këtë episod është Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në të njëjtën procedurë përmenden edhe Ergys Verdho dhe Anila Sulollari, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe ecuria e çështjes

Më 20 tetor, SPAK i komunikoi Belinda Ballukut akuzat përfundimtare. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, ajo akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste; korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë; mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste; si dhe pastrim të produkteve të veprës penale në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.

Tetë ditë më vonë, më 28 tetor, ish-zëvendëskryeministrja u paraqit sërish në SPAK, ku iu komunikua përfundimi i hetimeve.

Ndërkohë, çështja kishte kaluar edhe në Kuvend për shkak të kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestimit të saj. Kërkesa u depozitua më 16 dhjetor 2025, por më 12 mars 2026 Kuvendi votoi kundër heqjes së imunitetit, me 82 vota kundër dhe 47 pro.

Lista e 31 të pandehurve dhe akuzat e publikuara në media

1. Belinda Balluku – Shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
2. Pandeli Carapuli – Pastrim parash.
3. Igli Tare – Pastrim parash në 2 raste.
4. Joana Bushi – Pastrim parash.
5. Arbër Abazi – Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh.
6. “Alko Impex General Construction” – Korrupsion aktiv.
7. Viola Haxhiademi – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
8. Ergys Verdho – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
9. Adja Strazimiri – Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera.
10. Anila Sulollari – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
11. Paqsor Buzi – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
12. Artan Sako – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
13. Ram Geci – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
14. “Eurocol” sh.p.k. – Pastrim parash.
15. Ervis Berberi – Shkelje e barazisë në 9 tendera.
16. Gentian Gjyli – Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre.
17. Erald Elezi – Shkelje në 3 tendera.
18. Jetmira Dervishi – Shkelje në tendera.
19. Mirzeta Kashnica – Shkelje në tendera.
20. Jonida Çeçe – Shkelje në 3 tendera.
21. Adrian Kroi – Shkelje në 4 tendera dhe shpërdorim detyre.
22. Denis Xhoshi – Shkelje në 3 tendera.
23. Klarita Konomi – Shkelje në 1 tender.
24. Miranda Shkurti – Shkelje në 8 tendera.
25. Genti Raça – Shkelje në 5 tendera dhe shpërdorim detyre.
26. Eduart Agalliu – Shkelje në 1 tender.
27. Arbër Troka – Shkelje në 2 tendera.
28. Dhurata Lazaj – Shkelje në 3 tendera.
29. Nikollaq Mihali – Shkelje në 3 tendera.
30. Gëzim Noni – Shkelje në 3 tendera.
31. Arlinda Gordani – Shkelje në 4 tendera.

Dosja përfshin kështu zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës dhe sipërmarrës që kanë përfituar kontrata publike, ndërsa hetimet e SPAK shtrihen nga tenderat e infrastrukturës deri te dy pasuritë luksoze në bregdet.

Pas përfundimit të hetimeve, çështja pritet të vijojë në fazat e mëtejshme të procesit gjyqësor.

Të gjithë personat dhe subjektet e përfshira në këtë dosje prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit