“Nga s´do të marrë kokërr leku”, tek “do ia paguajmë 110 milionë euro”/ Si ka ndryshuar qëndrimin i Qeverisë Rama ndaj Becchetti-t

“Nga s´do të marrë kokërr leku”, tek…

Qeveria shqiptare do të paguajë mbi 263 milionë euro për gjyqe të humbura në arbitrazh, nga të cilat 110 milionë euro i takojnë sipërmarrësit Francesco Becchetti.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave, Anila Denaj, në një intervistë në RTSH, ku tha se detyrimet ndaj Becchetti-t do të shlyhen, kur vendimi të jetë i formës së prerë.

“Ne patjetër që do ta paguajmë. Hyn edhe në negociata. Po në rastin e Becchetti-t, ne jemi në pritje të përgjigjes nga Avokatura e Shtetit.

Ne nuk mundemi dhe juridikisht të buxhetojmë procesin, në qoftë se Avokatura e Shtetit nuk thotë: “Tani ky vendim duhet zbatuar”. Ka procese dhe ka kontrata që nëse do të negocioheshin në kohë mund të kishin kompensuar dhe dëmin e fitimit të gjyqit. Dhe sa më shumë ta lëmë në kohë, jemi duke shtyrë një proces që nuk është në të mirë të shqiptarëve. Nuk po flas për rastin konkret këtu.

Por në momentin që procedurat finalizohen atëherë janë detyruese për buxhetin e shtetit. Dhe ata kanë vëmendjen për t’u paguar proporcionalisht sipas fondeve. Nëse vjen e formës së prerë do të duhet të hiqet një fond nga një proces tjetër”, tha Denaj.

Por nëse kthehemi pas në kohë dhe kujtojmë deklarimet e ministrit Arben Ahmetaj, lind pyetja pse ndryshoi qëndrim Qeveria Rama lidhur me çështjen Becchetti.

Më 24 mars 2020, në emisionin “Opinion”, Ahmetaj garantoi se shteti shqiptar s’do t’i paguante asnjë lek biznesmenit italian, Francesco Becchetti.

Këtë deklaratë ai e bëri pasi Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendosi se Shqipëria do duhet t’i paguante në formë dëmshpërblimi këtij të fundit rreth 100 milionë euro.

Më pak se 4 muaj nga deklarata e Ahmetajt, Ministria e Financave pasqyroi në raportin e fundit për zbatimin 6 mujor të Buxhetit të Shtetit, detyrimin prej 109,5 milionë eurosh ndaj palëve që kanë paditur shtetin shqiptar, ku 99,5 milionë euro do t’i përfitojë biznesmeni italian.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit