Një hetim i tabloidit britanik The Sun pretendon se rrjete shqiptaro-britanike të kontrabandës së emigrantëve po përdorin jahte luksoze për të transportuar në mënyrë të paligjshme persona drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur kontrollet që ushtrohen mbi varkat e vogla në Kanalin e La Manshit. Sipas investigimit, një gazetar i infiltruar u paraqit si një shtetas shqiptar i dëbuar nga Britania pas një dënimi në burgun Wandsworth dhe kontaktoi një reklamë në TikTok. Pas komunikimit në WhatsApp, organizatorët i ofruan një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda drejt një porti pranë Doverit kundrejt pagesës prej 15,500 paundësh, e cila duhej të jepej vetëm cash në Shqipëri. Një prej personave që komunikonte me gazetarin deklaroi se kishte vuajtur një dënim prej një viti e dhjetë muajsh në burgun Doncaster për trafik kokaine dhe se grupi kishte shpenzuar 50 mijë euro për marrjen me qira të jahtit, i cili kishte tre kabina luksoze dhe transportonte jo më shumë se dhjetë pasagjerë. Ai pretendoi gjithashtu se vetëm dhjetë ditë më parë kishin dërguar me sukses 11 shqiptarë në Britani.
Sipas The Sun, banda u ofronte klientëve transport nga një port pranë Doverit drejt Londrës dhe kërkonte që pagesa të dorëzohej nga familjarët në Shqipëri përpara nisjes. Gazeta raporton se llogaria në TikTok u mbyll nga platforma brenda një ore pasi iu raportua për shkelje të rregullave mbi trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa materiali iu dorëzua edhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani. Hetimi vjen në një kohë kur autoritetet britanike kanë arrestuar persona të dyshuar për përdorimin e jahteve në kontrabandën e emigrantëve. Në maj u arrestuan pesë persona pasi një jaht me shtatë emigrantë u kap në jug të Anglisë, mes tyre një britanik 42-vjeçar dhe një shqiptar 25-vjeçar. Ndërsa në muajin mars, shtetasit ukrainas Vladyslav Cherniavskyi, 38 vjeç, dhe Oleksandr Yavtushenko, 43 vjeç, u dënuan respektivisht me pesë dhe gjashtë vite burg pasi transportuan pesë shqiptarë dhe një shtetase vietnameze kundrejt 13 mijë paundëve për person.
Hetimi thekson se gjatë pesë viteve të fundit 4,614 persona kanë hyrë sërish në Britani pasi ishin deportuar më parë, ndërsa të paktën 723 prej tyre janë dëbuar dy ose më shumë herë. Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh me 1,525 raste, të ndjekur nga rumunët me 767, afganët me 281, lituanezët me 233 dhe irakianët me 150. Sipas të dhënave të publikuara, mbi 11 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla vetëm gjatë këtij viti. The Sun përmend gjithashtu rastin e vëllezërve Hajdar Copja, 40 vjeç, dhe Franc Copja, 33 vjeç, të cilët sipas autoriteteve britanike drejtonin një rrjet trafiku droge në Londër dhe investuan miliona paund në projekte turistike në Shqipëri, si dhe grupin kriminal Hellbanianz, të njohur për aktivitetin në trafikun e kokainës dhe ekspozimin e stilit luksoz të jetesës në rrjetet sociale. Gazeta citon edhe politikanin britanik Zia Yusuf, zëdhënës i Reform UK për çështjet e brendshme, i cili e cilësoi situatën si provë të dështimit të kontrollit të kufijve të Mbretërisë së Bashkuar.



