
Nazmi Malaj, 42-vjeçari që është një shofer ambulance pranë spitalit të Shkodrës, sëbashku me vëllain e tij Basri Malaj 37 vjeç janë të dyshuar si organizatorët kryesor të një tentative për trafikimin e lëndëve narkotike. Një ditë më parë policia vendore e Shkodrës bëri të ditur finalizimin e një aksioni në kuadër të operacioneve kombëtare “Territor i Pastër” dhe Tempulli 2” duke sekuestruar afro 100 kg drogë. 65.5 kg ishte marijuanë e prodhuar në formë çokollate e gatshme për treg dhe pjesa tjetër 31.5 kg kanabis në formë boçe u gjet në një furgon në afërsi të të njëjtit vend. Dy vëllezërit Malaj sipas policisë janë të dyshuar si personat që ishin në krye të kësaj veprimtarie kriminale ndërsa mendohet se është një rrjet kriminal shumë më i gjerë se kaq me persona të tjerë të përfshirë për të cilët policia po heton.
Mësohet se dy vëllezërit Malaj kishin përshtatur një tunel strehimi ekzistues që nga koha e Enver Hoxhës në lagjen “Skenderbeg” duke e përshtatur si magazinë për lëndën narkotike. Tuneli nëntokësor në afërsi të spitalit rajonal të Shkodrës sipas burimeve sapo kishte nisur që të punohej për ta pastruar dhe për ta hapur me qëllimin për ta kthyer në një magazinë droge. Dy dalje të këtij tuneli që lidhen me zona të tjera të Shkodrës, policia i gjeti të bllokuara. Një dalje ishte e mbushur me dhe ndërsa tjetra ishte blinduar me një derë të fortë betoni e cila ka qenë e pamundur për t’u hapur. Ky tunel që prej vitesh nuk ishte përdorur, ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore të spitalit në qytetin e Shkodrës dhe po ashtu në një zonë të banuar.
Sekuestrimi i afro 100 kilogramëve drogë nga policia erdhi pas një hetimi të mëparshëm dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga komisariati i policisë Vau Dejës të cilët arritën të zbulojnë këtë bazë të lëndës narkotike në tunelin nëntokësor.