
Kur nisi nisma për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, autoritetet zgjedhore i siguruan votuesit se nuk do të kishte asnjë nevojë për dalje nga shtëpia. Sipas premtimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çdo zarfi do t’i dorëzohej qytetarëve në adresat e deklaruara përmes një shërbimi postar të drejtpërdrejtë, duke shmangur çdo procedurë shtesë apo pengesë logjistike.
Por më 3 maj 2025, KQZ befas ndryshoi qasje. Përmes një njoftimi të thjeshtë të publikuar nga kreu i institucionit, Ilirjan Celibashi, votuesit shqiptarë në Greqi u njoftuan se duhet të paraqiten personalisht pranë pikave të DHL për të tërhequr ose dorëzuar zarfet e votimit.
Ky ndryshim i papritur ka sjellë jo vetëm konfuzion mes votuesve, por ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit. Situata në Greqi duket veçanërisht problematike, ku nga mbi 68 mijë zarfe të dërguara atje, vetëm 7.2% janë kthyer deri tani.
Ky zhvillim bie ndesh me deklaratat e mëparshme të KQZ-së dhe i ekspozon qytetarët përballë pengesave të panevojshme në një proces që duhej të ishte i lehtësuar, i sigurt dhe i pandikuar.
Sipas të dhënave zyrtare:
-245,935 zarfe janë dërguar jashtë vendit;
-219,464 zarfe janë tërhequr nga votuesit;
-131,657 zarfe kanë mbërritur pranë KQZ-së;
-114,278 zarfe janë aktualisht të humbura ose të bllokuara.
Konkretisht:
-26,471 zarfe nuk janë marrë kurrë nga zgjedhësit;
-87,807 zarfe janë tërhequr por nuk kanë mbërritur në destinacion.
Pra, mbi 46% e totalit të zarfave janë jashtë çdo kontrolli. Në kontekstin e një procesi zgjedhor, kjo shifër përfaqëson një problem serioz që prek thelbin e integritetit të votës.
Shteti shqiptar ka firmosur një kontratë me vlerë 9.2 milionë euro me kompaninë postare DHL për të garantuar shpërndarjen dhe grumbullimin korrekt të zarfeve, por rezultatet e deritanishme tregojnë qartë se pritshmëritë nuk janë përmbushur.
Ky ndryshim i papritur në mënyrën e dorëzimit, nga “zarfi vjen në shtëpi” në “shko e merre vetë”, jo vetëm që rrit vështirësitë praktike për mijëra votues, por krijon dhe hapësirë për ndërhyrje, parregullsi dhe potencialisht manipulime.
Ndërkohë që shumë prej shqiptarëve në emigracion kanë treguar vullnet dhe përkushtim për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhje, mënyra se si është menaxhuar procesi deri tani rrezikon t’i kthejë përpjekjet e tyre në një zhgënjim të madh dhe të vërë në dyshim vetë legjitimitetin e votës së tyre.
Nëse kjo situatë nuk korrigjohet shpejt, procesi i votimit të shqiptarëve jashtë vendit rrezikon të mbetet një eksperiment i dështuar, i shtrenjtë dhe me pasoja serioze për demokracinë shqiptare.