Detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Allias, ku 36-vjeçari Gerald Sefa humbi jetën pasi u hodh nga kati i pestë i një pallati. Për ngjarjen, policia ka arrestuar Sajmir Demirin, babain e ish-bashkëjetueses së 36-vjeçarit, i cili dyshohet se ka shkaktuar vetëvrasjen.
Sipas hetimeve, dy ditë para ngjarjes, Demiri dyshohet se është përfshirë në një debat me Sefën, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga vajza e tij. Presioni dhe debatet e dyshuara të vazhdueshme ndaj 36-vjeçarit janë një nga pistat kryesore që po verifikohet nga grupi hetimor.
Në orët e para të hetimit u ngrit edhe dyshimi për një vrasje të mundshme, pasi në banesë u gjet një thikë me njolla gjaku. Megjithatë, ekspertiza ka zbuluar gjurmë gishtash të Gerald Sefës në thikë. Sipas dyshimeve të hetuesve, 36-vjeçari fillimisht mund të ketë tentuar të dëmtojë veten me thikë dhe më pas është hedhur nga kati i pestë.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të një familjari të Sefës, i cili ia kishte lënë atij për të jetuar. Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur 36-vjeçari hyn në pallat. Nga pamjet rezulton se ai ka hyrë i vetëm në ndërtesë, një tjetër element që po analizohet nga hetuesit për të rindërtuar minutat e fundit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.