Ngjarjet kriminale në 4 qytete/ Vrasja e dy vëllezërve, kush është grupi i qitësve me emrin e koduar ‘Sakati’

Ngjarjet kriminale në 4 qytete/ Vrasja e…

Grupi i qitësve, që akuzohet për dy atentate në Durrës me 4 viktima është duke u verifikuar me imtësi për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Fier, Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë Klevis Alla, tashmë i ka hapur punë oficerëve të policisë dhe prokurorisë, pasi prej një jave kanë hapur disa ngjarje të pazbardhura, në katër qarqe.

Duke u bazuar edhe në rrëfimin e 22-vjeçarit, është kuptuar se grupi, ku Alla bënte pjesë së bashku me të arrestuarin tjetër Altin Ndoci, ishin pjesë e një skuadre qitësish me pagesë, ku herë pas herë kryenin dhe grabitje.

Altin Ndoci, është një personazh i skeduar për vjedhje dhe dyshohet duke u verifikuar tashmë për një tentativë grabitje në Fier, ku një nga autorët mbeti i vrarë nga policia, ndërsa një tjetër i plagosur. Në kuadër të këtyre verifikimeve gjatë këtyre ditëve, janë shoqëruar në polici, disa persona nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani, por edhe nga Vlora.

Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se policia e Shtetit në bashkëpunim edhe me prokurorinë e Durrësit, po verifikojnë me imtësi dosjet hetimore të disa atentateve të pazbardhura në zonën e Elbasanit. Bëhet fjalë për tre atentate, ku dyshohet se kanë lidhje me përplasjet mes grupeve kriminale.

Pas këtyre vrasjeve dyshohet se qëndron hija e një grupi kriminal, tepër të sofistikuar që vepron në këtë zonë, dhe që njihet ndryshe si grupi i “Sakatit”. Dyshohet se anëtarët e këtij grupi kriminal qëndrojnë pas tre atentateve mafioze në Peqin por dhe armatimit të rëndë, që u gjend në ambientet e karburantit në pronësi të biznesmenit, Ilir Beko në Papër.

Të dhënat e grumbulluara nga policia kriminale ngrenë dyshime se një grup djemsh që veprojnë në zonën e Peqinit, janë të dyshuar si autorë të katër ngjarjeve shumë të rënda, të ndodhur në këtë zonë të vogël. Grupi që vepron në këtë zonë dhe që shpesh aktivizon qitësa me pagesë njihet si grupi i “Sakatit”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit