Një bandë kriminale shqiptare, e specializuar në vjedhjet e pronave të personazheve të famshëm, është goditur nga policia franceze pas një operacioni të gjerë. Shtatë persona janë arrestuar, përfshirë kreun e grupit, Edison Pulën, i njohur për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet europiane.
Sipas autoriteteve franceze, banda ka kryer një seri vjedhjesh në Francë dhe Belgjikë, duke shënjestruar futbollistë, pilotë të Formula 1 dhe këngëtarë të njohur. Në total, ata kanë grabitur rreth 1 milion euro në bizhuteri dhe sende luksoze, të cilat më pas janë shitur në Shqipëri.
Operacioni për kapjen e tyre nisi më 20 janar, kur dy anëtarë të bandës u arrestuan në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerë, përfshirë Pulën, u kapën më 4 mars pranë qytetit Reims në Francë.
Francezët grupin e hajdutëve e kanë pagëzuar me emrin Nikla .Policia franceze ka theksuar rrezikshmërinë e rrjetit, veçanërisht të Edison Pulës, ADN-ja e të cilit është zbuluar në mbi 30 skena krimi nga qershori 2022 deri në shtator 2024. Pula, i kërkuar nga Interpoli, është i njohur për arratisjen e tij spektakolare nga një burg italian në qershor 2022.
Në Shqipëri, Edison Pula është i lidhur me atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes dhe është i akuzuar për disa vepra të rënda penale si , është akuzuar për një sërë krimesh, përfshirë vjedhje me dhunë, vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë franceze, ky operacion konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në vitet e fundit.