Ka nisur si çdo ditë protesta e 32-të në kryeqytet, ku qytetarët dhe organizatorët vijojnë të mbajnë si kërkesë kryesore dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, nga ku janë nisur në marshim për t’iu drejtuar godinës së Kryeministrisë, vend ku mbahen edhe fjalimet kryesore të lëvizjes.
Kjo revoltë qytetare e ka zanafillën ekzaktesisht një muaj më parë, kur një incident në Zvërnec u kthye në shkëndijën që ndezi atë që organizatorët e quajtën asokohe “Revolucioni Flamingo”. Prej asaj dite, tubimet kanë qenë të pandërprera në rrugët e Tiranës.
Kujtojmë se një ditë më parë, në ditën e 31-të të protestës, lëvizja mbylli muajin e saj të parë me tensione të larta. Gjatë tubimit pati një përplasje të fortë përpara Kuvendit, ku tensionet me Policinë e Shtetit degraduan deri në shoqërimin në komisariat të gjashtë protestuesve.
Edhe pse me të shoqëruar dhe pas një muaji qëndrese, pjesëmarrësit janë rikthyer sërish në shesh, duke treguar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre fillestare.