Një incident i dhunshëm është regjistruar pranë shkollës te rruga “Siri Kodra”, në Tiranë ku një person është rrahur me grushte nga 3-4 persona.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se konflikti ka nisur pas një debati verbal, i cili më pas ka degraduar në dhunë fizike. Në videon e siguruar nga vendngjarja, pas përfundimit të konfliktit, disa qytetarë shihen duke ndihmuar personin e dëmtuar dhe duke e larguar nga vendi, ndërsa më pas kanë mbërritur ambulanca dhe policia.
Për momentin nuk dihet shkaku i konfliktit dhe as identiteti i personave që ushtruan dhunën, të cilët dyshohet se janë larguar para mbërritjes së forcave të policisë. Gjithashtu ka dyshime personi i dhunuar mund të ketë qenë në gjendje të dehur, por kjo mbetet e pakonfirmuar.
Pritet që policia të sqarojë rrethanat e ngjarjes dhe të identifikojë personat e përfshirë.