Një ditë pas dënimit në Hagë, reagon Hashim Thaçi: Mbetuni paqësorë

Një ditë pas dënimit në Hagë, reagon…

Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka ardhur reagimi i Hashim Thaçit, përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij kryesor në rrjetin social X.

Në mesazhin e përcjellë nga mbrojtja, Thaçi shpreh mirënjohjen për mbështetjen që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të reagojnë në mënyrë paqësore ndaj vendimit.

Mbrojtja e Thaçit ka konfirmuar se do ta apelojë aktgjykimin e shkallës së parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas avokatëve të tij, vendimi përmban “gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte”, të cilat, sipas tyre, kanë ndikuar në drejtësinë e procesit.

Një tjetër pikë e ngritur nga mbrojtja lidhet me mënyrën e zhvillimit të gjykimit. Avokatët kanë shprehur shqetësime për ndërhyrjet dhe pyetjet e bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, duke pretenduar se disa prej tyre kanë tejkaluar atë që ata e konsiderojnë si kërkim neutral të së vërtetës.

Mbrojtja kundërshton gjithashtu vlerësimin e provave, duke pretenduar se gjetjet për fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova që, sipas saj, ishin të pamjaftueshme ose të pakonfirmuara.

Thaçi u dënua me 25 vite burgim, ndërsa bashkë me të u dënuan edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, me dënime që në total arrijnë në 81 vite burgim.

Vendimi është i shkallës së parë dhe tashmë pritet procesi i ankimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit