Një kapitull i ri për mbrojtësin kuqezi, Mario Mitaj prezantohet te Genoa

Një kapitull i ri për mbrojtësin kuqezi,…

Mario Mitaj është zyrtarisht futbollist i Genoas. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka hedhur firmën me klubin italian dhe nga sezoni i ri do të luajë në Serie A, duke nisur një etapë të re në karrierën e tij.

22-vjeçari rikthehet në futbollin europian pas eksperiencës me Al-Ittihad në Arabinë Saudite, ku arriti të fitonte edhe titullin kampion. Genoa arriti të sigurojë shërbimet e tij mes konkurrencës së disa klubeve që kishin shfaqur interes gjatë merkatos.

Sipas gazetarit të merkatos, Fabrizio Romano, Mitaj kishte në tavolinë edhe oferta nga Portugalia, por zgjodhi projektin e klubit italian, duke e konsideruar Serie A si hapin ideal për vazhdimin e karrierës. Mbrojtësi shqiptar ishte në radar edhe të Portos, por në fund ishte Genoa ajo që fitoi garën për firmën e tij.

Para këtij transferimi, Mitaj ka veshur fanellat e AEK-ut, Lokomotivës së Moskës dhe Al-Ittihad. Gjatë aventurës në Arabinë Saudite ai zhvilloi 58 ndeshje, duke dhënë kontribut në suksesin e skuadrës që u shpall kampione.

Megjithatë, në sezonin e fundit hapësirat për të në fushë u reduktuan për shkak të rregullave të kampionatit saudit mbi numrin e lojtarëve të huaj, çka e shtyu të kërkonte një sfidë të re.

Kalimi te Genoa konsiderohet një moment i rëndësishëm në karrierën e mbrojtësit shqiptar. Në klubin me traditë të futbollit italian, Mitaj do të mbajë fanellën me numrin 2 dhe do të ketë mundësinë të tregojë cilësitë e tij në një nga kampionatet më konkurruese në botë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit