Një udhëtim drejt Stokholmit të Suedisë është kthyer në një përvojë shqetësuese për një qytetare shqiptare, e cila ishte nisur së bashku me vajzën e saj. Ajo i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar problemin që hasi me pasaportat e reja, të cilat i kishte tërhequr në muajin korrik.
Qytetarja tregon se të dielën, gjatë udhëtimit drejt Suedisë, ajo dhe vajza e saj u ndaluan në aeroport, pasi autoritetet dyshuan se pasaporta e saj ishte e falsifikuar.
Sipas denoncimit, pas një kontrolli intensiv prej rreth 3 orësh dhe verifikimeve nga specialistë të Interpolit, u konstatua se pasaporta nuk ishte false, por kishte pasaktësi në shënimet teknike.
Konkretisht, në fushën e tipit të dokumentit shfaqet shënimi “PP”, ndërsa sipas qytetares duhet të jetë vetëm “P”. Po ashtu, në pjesën e poshtme të pasaportës shfaqet sërish kodi “PP”, ndërsa ajo thotë se duhet të jetë “P<ALB”.
Përmes denoncimit, qytetarja kërkon të mësojë nëse këto pasaktësi janë vetëm në pasaportën e saj apo nëse edhe persona të tjerë të pajisur me dokumente të reja mund të kenë të njëjtin problem.
Denoncimi i plotë i qytetares:
“Përshëndetje, do doja të bëja një pyetje dhe nëse dikush na ndihmon.
Kam bërë pasaportat e reja në korrik dhe të dielën, duke u nisur nga Shqipëria për në Stockholm, Suedi, më ndalën mua dhe vajzën, sepse më thanë: ‘Pasaporta është false’.
Pas një kontrolli intensiv prej 3 orësh me inspektorë të Interpolit për verifikime të pasaportave, arritën të verifikonin që pasaporta nuk është false, por ka gabime. Si për shembull, duhet tipi P dhe unë e kam me 2-P, por edhe poshtë duhet P<ALB, por unë e kam PP.
A mundeni, ju lutem, të verifikoni ose të pyesni nëse janë bërë gabime edhe tek të tjerët apo vetëm unë e kam këtë lloj pasaporte?”
JOQ Albania kërkon një reagim nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar nëse bëhet fjalë për gabime teknike në pasaportën e qytetares, si dhe nëse dokumente të tjera të lëshuara së fundmi mund të kenë të njëjtat pasaktësi.
