
Një postim i ri në llogarinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë ka shkaktuar reagime të shumta në “Instagram”, pasi paraqet presidentin amerikan Donald Trump në një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale si një kalorës Jedi muskuloz, me një shpatë lazeri përpara flamujve amerikanë dhe shqiponjave tullace. Ky postim u publikua me rastin e Ditës së Luftës së Yjeve, më 4 maj, një datë që nderon sagën e famshme fantastiko-shkencore të krijuar nga George Lucas.
Në mbishkrimin shoqërues, përshëndetja “Gëzuar 4 Majin” shoqërohet me një mesazh politik kundër “së Majtës Radikale”, duke akuzuar ata për përpjekje për të rikthyer “Lordët Sith” dhe kriminelë të rrezikshëm në “Galaktikë”. Postimi e portretizon Trump-in si mbrojtës i rendit dhe sigurisë, ndërsa kritikët e tij krahasohen me Perandorinë e keqe të sagës. Mesazhi mbyllet me lojën fjalësh “4 Maj qoftë me ju”, që nënkupton moton origjinale “Forca qoftë me ju”.
Megjithatë, fansave të filmave dhe serialeve televizive fantastiko-shkencore nuk u ka shpëtuar një detaj: megjithëse në postim Trump identifikohet si mbrojtës kundër “Lordëve Sith”, antagonistëve në sagë, shpata lazer që mban presidenti amerikan është e kuqe, ngjyra që identifikon keqbërësit e Star Wars.