Një në pesë të rinj në Shqipëri nuk shkojnë as në punë dhe as në shkollë

Një në pesë të rinj në Shqipëri…

Shqipëria vijon të përballet me sfida të mëdha në punësimin e të rinjve, teksa 20,1% e grupmoshës 15–29 vjeç rezultojnë jashtë arsimit, punës dhe formimit profesional (NEET) në vitin 2025, sipas të dhënave të INSTAT. Brenda kësaj kategorie, 38,5% janë të papunë aktivë dhe në kërkim të një vendi pune, 1,6% klasifikohen si të dekurajuar, ndërsa 19,5% janë të angazhuar në kujdesin familjar. Ndërkohë, 40,4% renditen në kategorinë “të tjera”, duke reflektuar pasiguri ose informalitet në statusin e tyre ekonomik.

Treguesit dëshmojnë se meshkujt janë më aktivë në tregun e punës sesa femrat, pasi 46,5% e meshkujve NEET kërkojnë punë, krahasuar me 31,9% të femrave. Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të të rinjve NEET në rajon dhe gati dyfish mbi mesataren e Bashkimit Evropian, duke u renditur pas Kosovës, e cila regjistron rreth 30%. Edhe papunësia e të rinjve mbetet shqetësuese, me normën 21,5% për grupmoshën 15–24 vjeç, krahasuar me 8,4% për popullsinë në tërësi.

Ndërsa të rinjtë përballen me vështirësi për t’u integruar në tregun e punës, numri i të punësuarve mbi 65 vjeç ka vijuar të rritet. Sipas INSTAT, të punësuarit në këtë grupmoshë u shtuan nga 119,862 në vitin 2024 në 130,274 në vitin 2025. Pjesa më e madhe e tyre janë të vetëpunësuar në bujqësi dhe konsiderohen të punësuar sipas metodologjisë statistikore, edhe kur aktiviteti i tyre kufizohet në prodhimin për vetëkonsum.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit