Autopsia e Gjovalin Lazrit pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e vdekjes së 36-vjeçarit shqiptar, i cili mbeti i vrarë pasi dyshohet se kishte marrë pjesë në një tentativë grabitjeje në fermën e Roberto Mollo-s, në Baldissero d’Alba, në Itali.
Lazri u qëllua me dy plumba, njëri në shpatullën e djathtë dhe tjetri në qafë. Një nga çështjet kryesore që hetuesit po përpiqen të sqarojnë është nëse Mollo ka qëlluar në drejtim të tij në momentin kur ai dhe personat e tjerë që ndodheshin me të po largoheshin nga prona.
Për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes do të shërbejë edhe ekspertiza balistike. Sipas të dhënave të deritanishme, Mollo ka qëlluar nga ballkoni i katit të parë, në një distancë prej të paktën 30 metrash.
Rezultatet e autopsisë dhe të ekspertizës balistike pritet të kenë peshë të rëndësishme në procesin gjyqësor që mund të pasojë. Për këtë arsye, ekzaminimet po kryhen në prani të ekspertëve të caktuar nga palët.
Mbrojtja e Roberto Mollo-s ka zgjedhur mjekun ligjor Lorenzo Varetto dhe ekspertin Ruggero Pettinelli. Familja e Gjovalin Lazrit, ndërkohë, ka vendosur të mos caktojë ekspertë të saj.
Partnerja e viktimës ka kërkuar që hetimi të zbardhë të plotë të vërtetën.
“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. E gjithë e vërteta duhet të dalë në dritë. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, është shprehur ajo përmes avokates së familjes, Roberta Sisimbro.
Ajo ka theksuar gjithashtu se nuk dëshiron që rasti të reduktohet në ndarjen e njerëzve mes “të mirëve” dhe “të këqijve”, apo në justifikimin e përdorimit të armëve.
Avokatja Sisimbro ka deklaruar se familja ka besim te hetimi i Prokurorisë dhe te procesi ligjor. “Jemi në një shtet të së drejtës, ekzistojnë një Kushtetutë dhe ligje që duhen respektuar”, ka thënë ajo.
Gjovalin Lazri jetonte në Torino së bashku me partneren dhe djalin e tij. Ai menaxhonte një bar në periferi të qytetit, ndërsa partnerja e tij punonte si tatuiste. Prej disa ditësh, të dy bizneset janë të mbyllura.
Sipas mediave italiane, 36-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë, përfshirë një rast grabitjeje në vitin 2013, kur dyshohet se kishte marrë para dhe sende me vlerë në një vilë në zonën e Astigianos.
Megjithatë, miqtë e tij thonë se vitet e fundit ai kishte ndryshuar mënyrën e jetesës. Në të njëjtën kohë, raportohet se po përballej me vështirësi ekonomike. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ai të jetë rikthyer në kontakt me persona të njohur për aktivitetin e tyre në vjedhje dhe grabitje.
Bëhet fjalë për grupe të ashtuquajtura “udhëtarë”, të cilat janë të njohura për karabinierët e zonës. Hetuesit besojnë se identifikimi i personave të tjerë të përfshirë mund të bëhet përmes metodave tradicionale të hetimit, pasi kamerat e sigurisë në Baldissero d’Alba janë të pakta dhe në pjesën më të madhe të vjetruara.
Sipas versionit të hetuesve, objektivi i grupit mund të kenë qenë veglat dhe materialet e ndërtimit që ndodheshin në oborrin e fermës, me qëllim rishitjen e tyre.
Dyshohet se autorët mund të kenë menduar se prona ishte e pabanuar. Fillimisht, ata mund të kenë hyrë në oborr për të kontrolluar terrenin dhe më pas të kenë planifikuar të riktheheshin me një furgon ose kamion për të transportuar sendet. Në rrugicën që të çon drejt fermës nuk janë konstatuar gjurmë gomash, çka mbështet këtë hipotezë.
Por mbrojtja e Roberto Mollo-s paraqet një tjetër version të ngjarjes. Sipas avokatit Pier Mario, personat që hynë në pronë mund të kenë pasur synim të futeshin në banesë.
“Fakti që kishin me vete elektrik dore dhe doreza tregon se nuk bëhej fjalë thjesht për një kontroll të oborrit”, argumenton avokati.
Në momentin e ngjarjes, Roberto Mollo ndodhej duke fjetur në katin e sipërm të banesës. Sipas mbrojtjes, ai ka pasur frikë për sigurinë e tij dhe ka reaguar duke hapur zjarr.
Tashmë, autopsia dhe ekspertiza balistike pritet të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë me më shumë saktësi se si ndodhën të shtënat dhe çfarë pozicioni kishin viktima dhe personat e tjerë në momentin kur u qëllua.