Një tjetër kandidat për Primaret e Rithemelimit, Qosja: Kavaja bashki e falimentuar

Një tjetër kandidat për Primaret e Rithemelimit,…

Fisnik Qosja, ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, ka shpallur kandidaturën për të pjesë në primaret e Rithemelimit për Bashkinë e Kavajës.

Në një postim më rrjetet sociale ai tha se vendi ndodhet në gjendje dramatike dhe ka ardhur koha për ndryshim. Më tej, Qosja shkruan se do të bëhet zëri i emigrantëve shqiptarë.

Ish-kandidati tha se Kavaja është bërë eksperimenti më i keq i rilindjes. Më pas tha se u premtua se do të shndërrohej në Venecia me lundrim e me varka, sot kemi një Bashki të falimentuar.

Postimi i plotë:

Të dashur miq! Banorë të Bashkisë së Kavajës. Dua të ndaj me ju vendimin që kam marrë për t’u futur në garën për Bashkinë e Kavajës, përmes primareve që do të zhvillohen në Partinë Demokratike. Situata ku ndodhet sot gjithë vendi, por sidomos Bashkia jonë, është dramatike.

Ndryshimi mund të vijë vetëm me angazhim, vetëm duke u bërë pjesë e përpjekjes për të mos i lënë gjërat në këtë rrokullisje çdo ditë e më keq. Në këto kushte, unë vendosa të bëhem pjesë e këtij procesi, të jap kontributin tim, duke hyrë në këtë garë, ku jam i sigurt se do te dalim të gjithë të fituar. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse secili qëndron duke bërë sehir.E ndjej se mund të shërbej, mund të ndihmoj qytetin tim, ku kam lindur, ku kam familjen, e ku po rris dhe djalin tim. Kam bindjen se mund t’i shërbej me përulësi banorëve të mrekullueshëm të Njësive Administrative Golem, Synej, Luz i vogël dhe Helmas.

Dua të jemi zëri i qindra mijëra emigrantëve Kavajas, kudo që ndodhen jashtë vendit, duke krijuar ura të sinqerta bashkëpunimi në interes të zhvillimit dhe prosperitetit të Bashkise sonë. Përgjegjësive nuk i kam ikur asnjëherë, edhe kur kam qënë më i ri. Të marrësh sot përgjegjësi për të hyrë në një garë, me synimin për të përmirësuar gjendjen, e për t’i shërbyer qytetarëve, është angazhim fisnik. Unë vetë do ta vlerësoj këtë nisëm tek çdokush. Ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur këto vite me Kavajën. Është bërë eksperimenti më i keq i rilindjes. U premtua se do të shndërrohej në Venecia me lundrim e me varka, sot kemi një Bashki të falimentuar. Të falimentuar zyrtarisht. Sepse, një model i dështuar, nuk sjell tjetër përveçse dështimin e radhës,” shkroi ai.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit