Një trup i dekompozuar gjendet në Kurbin, dyshohet se i përket një francezi

Një trup i dekompozuar gjendet në Kurbin,…

Një trup i pajetë është gjetur paraditen e sotme në zonën e njohur si “Përroi i Zall Frashër”, në fshatin Zhejë të Njësisë Administrative Mamurras, në Kurbin.

Trupi, i cili ndodhej në gjendje të dekompozuar, është zbuluar në rrethana që tashmë janë nën hetim. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se bëhet fjalë për një shtetas francez, me inicialet G. P., 61 vjeç, i cili mendohet se kishte vizituar zonën.

Nga verifikimet e para nuk janë konstatuar elementë që të ngrenë dyshime për një ngjarje kriminale, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet me një vdekje të mundshme për shkaqe natyrale. Megjithatë, shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet pas veprimeve të mëtejshme hetimore dhe ekspertizës përkatëse.

Burime policore bëjnë me dije se deri në këto momente nuk ka pasur një denoncim në Shqipëri për zhdukjen e 61-vjeçarit. Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimin me Ambasadën e Francës, me qëllim verifikimin e të dhënave për shtetasin francez, përfshirë edhe kohën kur është ndërprerë kontakti me të.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit