Dy raste të veçanta kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, nga dy djem të cilët kanë parë rastësisht nga një vajzë në qytete të ndryshme dhe, pa mundur të shkëmbejnë kontakte me to, tani shpresojnë t’i gjejnë përmes rrjeteve sociale.
Rasti i parë vjen nga zona e Ksamilit, ku një djalë tregon se para dy ditësh ka parë një vajzë te Shpella e Pëllumbave, në Manastir, mes Ksamilit dhe Sarandës. Sipas tij, vajza ishte me familjen e saj, në një grup prej pesë personash, ndërsa mes tyre ka pasur vetëm një “eye contact”, pa mundur të shkëmbejnë as emra dhe as kontakte.
Ai tregon se vajza kishte veshur një bluzë të bardhë me rrjetë dhe shpreson që ajo ta shohë postimin dhe ta kontaktojë.
Por një tjetër histori vjen nga Fieri dhe është edhe më romantike. Një djalë thotë se ka parë një vajzë gjatë “Festës së Miqësisë” që organizohet në qytet dhe, mes shumë njerëzve, ajo i ka tërhequr menjëherë vëmendjen.
Sipas tij, vajza ishte e veshur me xhinse gri dhe ai thotë se nuk ishte veshja ajo që e bëri të veçantë për të, por ajo që e përshkruan si “dashuri me shikim të parë”.
Djali tregon se nuk pati mundësi t’i merrte numrin apo emrin, pasi ajo ishte e shoqëruar nga babai. Megjithatë, ka lënë një “shenja identifikuese” për vajzën: thotë se ai ishte djali që ndodhej në tavolinën e rrumbullakët në qendër të sheshit, i veshur me bluzë jeshile dhe me varëse blu.
Të dy kanë të njëjtën shpresë: që vajzat t’i shohin postimet dhe, nëse e njohin veten, t’u përgjigjen.
Njëri e kërkon vajzën e Shpellës së Pëllumbave, tjetri “engjëllin” që pa në Fier. Tani mbetet të shohim nëse rrjetet sociale do të bëjnë atë që nuk arritën ta bëjnë dy takime të rastësishme.
Nëse ndonjëra prej vajzave mendon se mund të jetë ajo që kërkohet, mund të kontaktojë redaksinë e JOQ Albania dhe ne do t’ua përcjellim kontaktin djemve.