“Nuk arritëm dot në kohë”, dëshmitë pas vetëvarjes së të burgosurit që masakroi bashkëfshatarin. Si u gjet i pajetë, i varur me çarçaf, zgjodhi banjën sepse…

“Nuk arritëm dot në kohë”, dëshmitë pas…

Autori i masakrës së ndodhur pesë muaj më parë në qytetin e Korçës, është gjetur i vetëvarur në Burgun e Zaharisë në Krujë. Zamir Topi, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor, është gjetur i varur në tualetin e burgut me çarçafët e qelisë.

Ai është gjetur i vdekur nga të burgosurit e tjerë, të cilët u përpoqën ta shpëtonin, por pa sukses. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së shtunës në burgun e Zaharisë në Krujë, ku vuajnë dënimin personat me probleme të shëndetit mendor. Ai kurohej me mjekim të detyruar, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me këtë ngjarje, por burimet thanë për gazetën se nga hetimet e deritanishme dyshohet që ai të jetë vetëvarur, pasi këtë akt e ka ndërmarrë edhe herë të tjera, por është ndaluar nga të burgosurit e tjerë. Një pjesë e mirë e ambienteve, sidomos ato të përbashkëta, janë të monitoruara nga kamera sigurie, ndaj edhe 47-vjeçari ka zgjedhur banjën për të kryer aktin fatal, aty ku nuk ka kamera të instaluara.

DËSHMITË

Për të zbardhur dhe dokumentuar këtë ngjarje të rëndë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përfaqësuar nga inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Krujës. Pas mbledhjeve të provave në vendin e ngjarjes, hetuesit mblodhën edhe dëshmi të të burgosurve të tjerë. Këta të fundit mësohet të jenë shprehur se e kanë gjetur të varur në ambientet e tualeteve dhe kanë lajmëruar gardianët për ngjarjen.

Sipas të burgosurve, Zamir Topi kishte tentuar edhe herë të tjera për t’u vetëvarur, por ishte ndaluar nga ata.

“E gjeta të varur me çarçaf në banjë. Nuk e di si ka mundur, por ia kishte arritur qëllimit. Ai ka tentuar edhe herë të tjera për t’u vetëvarur, por e kemi ndaluar ne. Këtë radhë nuk arritëm në kohë, pasi kur e gjetëm kishte mbaruar. Lajmëruam gardianët dhe më pas ata e zbritën. Tentuan ta ndihmonin, por kishte mbaruar. Kohët e fundit nuk ishte mirë nga ana psikologjike dhe rrinte i vetmuar”, ka dëshmuar njëri prej të burgosurve të burgut të Zaharisë, ku 47-vjeçari qëndronte prej disa muajsh për krimin e kryer në Korçë, në muajin janar të këtij viti. Zamir Topi vrau me sëpatë Dashnor Osmanin në mes të qytetit, ku ky i fundit tregtonte banane.

KRIMI MAKABËR

Mesditën e datës 28 janar, Zamir Topi masakroi me sëpatë Dashnor Osmanin, ngjarje e ndodhur te Pazari i Korçës, në prani të dhjetëra dëshmitarëve. Të dy bashkëfshatarët kishin vite që ishin në konflikt për një vend në varreza. Autori i krimit kishte blerë paraprakisht një tokë në varreza për babanë e tij kur ai të ndërronte jetë, por në atë vend Osmani kishte varrosur nënën e tij. Zamiri i kërkonte të hiqte eshtrat e nënës, por viktima nuk e dëgjonte dhe kjo ishte arsyeja për të cilën e vrau me disa goditje në kokë me sëpatë. Zamir Topi fillimisht u largua nga vendngjarja, por u kap disa minuta më vonë nga Policia, teksa në dorë kishte ende sëpatën me të cilën kreu krimin. Vetë autori i krimit, pas arrestimit e ka treguar këtë histori para grupit hetimor.

/Panorama

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit