
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur një hetim të gjerë ndaj 100 individëve dhe subjekteve, të dyshuar për mospasqyrim të të ardhurave të përfituara nga platformat digjitale dhe rrjetet sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një shumë prej rreth 33 milionë euro të padeklaruara, që dyshohet të jenë përfituar përmes platformave si Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google dhe PayPal.
“Drejtoria e Hetimit ka nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale… ku nga verifikimet paraprake dyshohet për rreth 33 milionë euro të padeklaruara!”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve që ende nuk kanë kryer vetëdeklarimin e të ardhurave, të përmbushin detyrimet përmes platformës DIVA 2024, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe masave të tjera administrative që mund të pasojnë nga një hetim i thelluar.
“Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete,” përfundon njoftimi.