Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për qytetarët, qeveria 200 milionë euro borxh OSHEE-së

Nuk do të ketë rritje të çmimit…

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për qytetarët. AI tha se qeveria do të japë 200 milionë lekë borxh për OSHEE-në, 100 milionë këtë vit dhe 100 vitin tjetër.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ne duhet ta dëgjojmë më shumë njëri – tjetrin dhe ju duhet ta dini e ta kuptoni, se unë nuk jam këtu, as për t’jua bërë jetën më të vështirë, as për t’ju thënë që s’kemi ç’i bëjmë tërmetit, se na doli jashtë planit financiar, s’kemi ç’i bëjmë pasojave të virusit, se nuk jemi as Amerika as Gjermania, s’kemi ç’i bëjmë shumëfishimit të çmimit të energjisë në bursë… Unë nuk jam këtu as për t’ju thënë se 30 vjet më parë zgjodhëm kapitalizmin, kështu që kush ka le të paguajë, kush s’ka le të rrijë në errësirë… Jo këtë s’kam për ta bërë kurrë!

Por ama unë s’jam këtu as për t’i rënë me top arkës së shtetit, që askujt të mos i dhembi koka sot, pa punë e madhe se rrëzohemi të tërë nesër, siç jemi rrëzuar në fakt pasi ata përpara, ju thanë kapitalizmi është fushë me lule, hidhini lekët për të ndërtuar te Lana, hidhini kursimet për t’u pasuruar te Vebiu, hidhini fëmijët për t’i diplomuar te Vitrinat, lidhini fijet për t’u furnizuar tek shtylla e neonit, hidhini faturat pa paguar, bëjini hesapet pa menduar!

Unë s’jam këtu as për të heshtur, kur më thoni që Shqipëria e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet, po ne e shesim lirë jashtë, që pastaj ta blejmë shtrenjtë për të vjedhur; sepse në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet.

Dhe ne e shesim lirë, kur tërë rajoni rrotull nesh, nuk ka asnjë nevojë alarmante për energji, që të mos e hedhim ujin e hidrocentraleve në lumë apo më keq akoma, që të mos përmbysim fushat e mbjella duke e mbajtur kapicë, ndërsa e blejmë shtrenjtë; sepse dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës.

Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që prej 50 vjetësh rrinte në sirtar, që të kemi një rezervuar ujëmbledhës në kaskadën e Drinit, ku ujin e tepërt sot që kemi shi, ta mbajmë rezervë për nesër kur të kemi thatësirë.

Unë s’jam këtu për të bërë sikur nuk dëgjoj, as kur më thoni që ne e prodhojmë vetë naftën që na duhet, prandaj duhet ta kishim më të lirën në botë, jo më të shtrenjtën në rajon; sepse ne fakt jo, ne nuk e prodhojmë dot në vend naftën që konsumojmë për automjetet tona, pasi nafta jonë është naftë e rëndë, e cila shitet jashtë për nënprodukte, kryesisht bitum, ndërkohë që Shqipëria importon 600 mijë ton naftë në vit për diesel e benzinë.

Dieseli dhe benzina po, janë më shtrenjtë këtu se në rajon, sepse sa herë duhet ta përsërisim akoma, në çmimin e naftës që ju blini në benzinatë, është brenda edhe taksa e qarkullimit, të cilën në rajon e paguajnë veçmas, siç është brenda edhe një taksë karboni, sepse po, mjedisin nuk e ndotin as pensionistët, as invalidët, as ata me ndihmë ekonomike e as fëmijët, po automjetet dhe për t’u kthyer tek mbështetja për ta, si dreqin mund t’i mbështesë qeveria ata nga arka e shtetit, nëse kush ka më shumë nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë nuk paguan më shumë, kush do edhe më shumë nga kjo shtëpi e përbashkët, pretendon të japë më pak për buxhetin e saj.

Megjithatë, sot që flasim, meqë shumëkush ankohet se çmimi i naftës është rritur përtej çdo imagjinate, le të kthehemi përsëri tek faktet.

Eshtë sot më e shtrenjtë apo sidoqoftë më e lirë se ç’ishte deri në vitin 2013 dieseli e benzina?

Qeveria dje ishte e keqe dhe kjo sot është e mirë, se kjo të them të drejtën dihet, po në këtë rast kjo tregon se tregu është treg, çmimet në treg janë çmime në treg, e kush ankohet është në të drejtën e vet, por nëse nuk harron faktet e djeshme, nuk ka se si i gjykon drejt faktet e sotme.

Gjithsesi, thënë të gjitha këto, as më shkon mendja t’ju them tani, që meqë 30 vjet më parë zgjodhëm ekonominë kapitaliste të tregut, në vend të ekonomisë komuniste të planit të shtetit, dilini zot vetë edhe çmimit të shumëfishtë energjisë.

Sepse siç e kuptoj unë të paktën, detyrën e shtetit në këtë sistem, ku vërtetë shteti nuk është Zoti në tokë dhe ku çdo individ duhet t’i dalë zot vetes, detyra jonë si qeveri e këtij shteti është ndër të tjera, të jemi shoku i mirë në ditë të vështira, për të gjithë ata që jo për fajin e tyre, nuk janë në gjendje t’i përballojnë vetë sfidat e jetës, e as pasojat e krizave të kësaj natyre, jo e jo.

Por duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ka lidhje me Shqipërinë, e duke ju thënë se kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar, mund të jetë për këtë shtet deri edhe po aq sfiduese sa pandemia, me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin, nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri po si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm, ju them edhe që plani ynë i kundërveprimit, nuk parashikon as rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e për biznesin e vogël, as ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi.

Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, po edhe në gjykimin e disa qeverive mike, me të cilat jemi konsultuar, për si e shohin e qysh duan ta adresojnë krizën, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në fillimverën e ardhshme.

Kjo do të thotë se plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhë, ndërkohë që qeveria po përgatitet edhe për një konsultim kombëtar brenda këtij viti, me të gjithë ju, ku do t’ju kërkojmë të na jepni opinionin tuaj mbi këtë çështje, po jo vetëm mbi këtë çështje.

Plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjitike ka tre pika:

1-Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara

2-Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara

3-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit