Tre persona të armatosur janë vënë në pranga në Lezhë, pasi dyshohen se po planifikonin të kryenin një vrasje. Hetimet kanë zbardhur detaje mbi lëvizjet e tyre me një motor të vjedhur, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe mundësinë e përfshirjes së tyre në një grup të dyshuar për vrasje me pagesë.
Të arrestuarit janë Vincessk Piroli, Krisitian Ymeri, i njohur me nofkën “Shkambi”, dhe Elden Tarja.
Sipas burimeve atentati dyshohet se ishte planifikuar të kryhej në orët e para të mëngjesit. Megjithatë, plani nuk u realizua, pasi personat e dyshuar nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre.
Paralelisht me hetimet e Policisë së Lezhës, çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK. Sipas gazetarit, Prokuroria e Posaçme po shqyrton mundësinë për të verifikuar nëse tre të arrestuarit kanë lidhje me një grup të dyshuar për organizimin e vrasjeve me pagesë.
Aktualisht, hetimet nga autoritetet vendore po zhvillohen për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit, sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjes dhe trafikimit të mjeteve motorike, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.
Në vijim, mbetet për t’u parë nëse hetimi do të kalojë në kompetencën e SPAK, në varësi të provave që mund të zbulojnë ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal dhe përfshirjen e mundshme të të arrestuarve në veprimtari të tilla.