Dhjetra qytetarë të verbër kanë protestuar paraditen e kësaj të mërkure përpara derës së kryeministrisë. Të diskriminuar për trajtimin që u bën shteti, ata nisën marshimn nga Presidenca, për të mbërritur pranë zyrës së Edi Ramës, e më pas ndaluan përpara derës së Bashkisë së Tiranës. Thonë se nuk ndihen të mbrojtur as nga Kushtetuta, as nga qeveria dhe as nga pushteti vendor.
Shumica e të verbërve përveç pagesave të ulta që marrin, nuk gjejnë mundësi punësimi. Ndonëse ligji detyron që një në 50 persona të punësuar të jetë me aftësi të kufizuara, as ky vendim nuk zbatohet. Përballë një situate të vështirë ekonomike, ata kërkojnë rritje të pagesave që marrin çdo muaj dhe një pagë më të lartë për shoqëruesit e tyre.
“Marrim 135-140 mijë lekë të vjetra çdo muaj. Për çfarë t’i shpenzojmë më parë? Shoqëruesi ynë po ashtu aq merr. Si mund të mbajmë pas vetes ne një njeri gjithë ditën duke i dhënë 140 mijë lekë. Pagesa duhet të jetë minimalisht sa paga minimale. Ndërkohë pagesat tona kanë që nga vitit 2009 që nuk rriten, por vetëm indeksohen. Kemi problem me punësimin dhe trajtimi që na bëhet nga institucionet është shumë diskriminues” – thonë personat e verbër.
Në gjithë Shqipërinë janë më shumë se 13 mijë persona me probleme në shikim.