“Nuk kam ndërmend t’i hedh benzinë zjarrit”, nuk kanë fund sherret mes Bashës dhe Nokës

“Nuk kam ndërmend t’i hedh benzinë zjarrit”,…

Edhe mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nuk ka qenë e qetë, ku në debate dhe replika është përfshirë deputeti Flamur Noka me Lulzim Bashën.

Noka ka kërkuar nga Basha që të dalë në bazë dhe të sqarojë demokratët për masakrën zgjedhore, ndërsa kryetari i PD është përgjigjur se nuk ka ndërmend të zhvillojë takime për momentin, pasi nuk ka ndërmend që ti hedhë benzinë zjarrit.

Në këtë mënyrë Basha shmang një tur paralel me Berishën, i cili nga ana e tij është ndalur në disa qytete të vendit për të folur me anëtarësinë, dhe për të mbledhur firmat për Kuvendin Kombëtar.

Flamur Noka: “Ne po diskutojmë dhe po sillemi sikur jemi në një situatë normale, flasim për strategji, flasim për aksione ndërkohë që vetë demokratët janë të paqartë. Ti nuk del të flasësh me demokratët, t’u flasësh për masakrën zgjedhore.”

Lulzim Basha: “Unë kam dalë dhe do të dal të flas me demokratët, por nuk dal për t’i hedhur benzinë zjarrit.”

Fax News zbardhi më herët diskutimet dhe porositë që Lulzim Basha iu ka dhënë deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar që u zhvillua paraditen e sotme në selinë blu. Basha ka kërkuar nga deputetët që të zbresin në zonat e tyre elektorale dhe të denoncojnë rritjen e çmimeve që janë të papërballueshme për qytetarët.

Po ashtu Basha ka kërkuar nga deputetët që të marrin informacion për hetimet që kanë bërë prokuroritë për zgjedhjet e 25 prillit, të bëhet gjithçka për të ndarë politikën nga krimi, si dhe të nisë sa më parë puna për Reformën e re Territoriale.

Porositë e Bashës për deputetët:

  1. Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve
  2. Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqsorit dhe jo vetëm. S’mund të pretendohet për drejtesi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor.
  3. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar  aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë.
  4. Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën teritoriale. Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor.
  5. Duhet të bëjmë gati mekanizmat që të adresojmë problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votës, si dhe reformë zgjedhore dhe instrumenta zbatimi që mundësojnë  rregulla të barabarta zgjedhore për të gjitha subjektet duke u bazuar në praktikat e mira europiane.
Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit