Nuk mjafton trau, Kepi i Rodonit rrethohet me portë hekuri

Nuk mjafton trau, Kepi i Rodonit rrethohet…

Kepi i Rodonit është rrethuar me portë hekuri dhe me një gardh me tela. Më 29 tetor 2023 pati të shtëna me armë zjarri dhe u arrestuan disa persona, mes tyre dhe ish-deputeti Mark Frroku, pikërisht për këtë tokë. Kur ka kaluar afro një muaj nga konflikti që ndodhi për pronësinë, persona të paidentifikuar kanë përforcuar kalimin e hyrjes në një nga perlat e bregdetit shqiptar. Duket se tashmë është krijuar një shtet brenda shtetit pasi kjo sipërfaqe toke është privatizuar tërësisht, dhe aty hyhet vetëm me pagesë.

Tashmë që ta kalosh në këtë rrugë e cila ka dalje në det dhe brenda saj ndodhet Kalaja e Skëndërbeut, duhet të përballesh me një ‘doganë’ të fortifikuar. Një rrethim me rrjetë e tel, një derë hekuri që ndërpret rrugën, një kontenier ku qëndrojnë rojet dhe më pas një tjetër tra për ndalimin e kalimit të automjeteve. Rojet qëndrojnë aty ditë dhe natë, për t’u mohuar shqiptarëve të vizitojnë tokën që u ka falur Zoti pa kushte. Ky është gllabërimi i pasurive natyrore e kombëtare, teksa shteti është i pafuqishëm për të vepruar.

Konflikti për Kepin e Rodinit është i vazhdueshëm. Përreth tij po ndërtohen fshatra turistik, një pjesë e gjirit është dhënë me PPP për të ndërtuar një vendpritës për jahtet si dhe është një nga pikat më të lakmuara për të bërë biznes në sektorin e turizmit. Dhjetra familje janë në konflikt me Kishën Françeskane dhe persona të lidhur me politikën që pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm. Nëse shteti nuk ndërhynë, në Kepin e Rodonit prona do t’i takojë kush tregohet më i fortë, ku konflikti mund të sjelli edhe viktima.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit