'Nuk na ndihmon shteti', rrëqeth nëna e 40-vjeçarit në Durrës: U kalb djali në det

‘Nuk na ndihmon shteti’, rrëqeth nëna e…

Kur ka kaluar më shumë se një muaj që nga mbytja e 40-vjeçarit Aurel Ndoni në Porto Romano, sot e kësaj dite nuk ka asnjë shenjë për fatin e tij.

Nëna e tij ka bërë një thirrje rrëqethëse në një intervistë, duke kërkuar ndihmë nga institucionet për gjetjen e djalit saj.

Kam një hall shumë të madh, më është mbytur çuni para një muaji dhe sot e kësaj dite nuk ka ardhur asnjë për të më ndihmuar. Kemi kërkuar ndihmë kudo, u mbyt në Porto Romano. Nuk kam forcë më, kontrolluam me helikopter, me varka, me aerodron. Nuk kemi mundësi të shikojmë mos ka ngelur poshtë te gurët”, thotë ajo.

Nëna e Aurelit tregon se polumbarët kanë kërkuar kudo por në asnjë vend nuk e kanë gjetur, ndërkohë që vëllai i të humburit që ishte bashkë me të në momentet e fundit, kalon pjesën më të madhe të ditës pranë detit, me shpresën se do ta gjejë të afërmin e tij.

Ju lutem duam një anije nga Hollanda, kërkon 50 mijë euro. Erdhën një ditë polumbarët nga ora 1, kërkuan pak dhe thanë nuk gjetëm gjë. Një muaj u bë fiks, u kalb çuni aty brenda. Ju lutem dua ndihmë, a ka zot të më ndihmojë?! Është djali 40-vjeç brenda ka lënë një vjazë, të paktën ta gjej. Nuk na ndihmon shteti, me forcat tona privatisht e kemi kërkuar. Nuk e marrim dot anijen ta kërkojmë në thellësi. Ishte më vëllain, po ai nuk e shpëtoi dot. Iu këput koka nga deti, nuk kthehet dot në shtëpi pa vëllain”, tregon nëna e 40-vjeçarit.

Më tej nëna ngre dyshime se trupi i djalit mund të ketë mbetur te gurët e portit: “Si do bëhet halli, po mbajmë sytë nga dera dhe nga deti. Ku se kanë kërkuar, në Shkodër, në Lezhë, këtej nga Kavaja po nuk e kanë gjetur se mos ka ngecur të gurët”, thotë ndër të tjera nëna me lot në sy!

Kujtojmë se Ndoni ishte së bashku me vëllain e tij dhe një mikun e tyre duke peshkuar pasditen e 25 shkurtit 2024, kur papritur ka rrëshqitur në ujë dhe dallgët e kanë marrë me vete. Vëllai i tij ka tentuar që ta nxjerrë nga deti, por pa rezultat. Sipas raportimeve grupi hetimor ka ngritur një pistë hetimi sa i takon konflikteve të mundshme që mund të ketë pasur Ndoni, që më pas mund të ketë sjellë vrasjen dhe hedhjen në det, por deri më tani anjëra prej pistave nuk është vërtetuar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit