“Nuk punon, por merr rrogë si mjeke në Burgun 313”, denoncimi ndaj vajzës së ish-deputetit të PS

“Nuk punon, por merr rrogë si mjeke…

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre pretendime për një rast të dyshuar punësimi fiktiv në Burgun 313 në Tiranë.

Një punonjës i Policisë së Burgjeve pretendon se Klara Qefalia, vajza e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, figuron si mjeke në këtë institucion dhe merr pagë mujore, pavarësisht se, sipas tij, nuk paraqitet për të ushtruar detyrën.

Xhemal Qefalia ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe aktualisht mban detyrën e zëvendësministrit të Brendshëm.

“E bija e Xhemal Qefalisë, edhe pse nuk punon mjeke aty, ajo merr rrogë muaj për muaj si mjeke në 313”, pretendon denoncuesi.

Sipas denoncuesit, ai kishte parë emrin e Klara Qefalisë në listëpagesat e institucionit, por tha se nuk kishte mundur t’i fotografonte ato.

“Po i kam parë me sytë e mi listëpagesat”, shkruan ai.

Denoncuesi pretendon gjithashtu se Klara Qefalia nuk është paraqitur asnjëherë në institucion për të kryer detyrën dhe se, sipas tij, punonjësit e tjerë nuk e njohin.

Megjithatë, JOQ Albania nuk disponon dokumentacionin e pretenduar nga denoncuesi dhe nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse Klara Qefalia është e punësuar në Burgun 313, pozicionin e saj të punës apo nëse ajo ka kryer detyrat përkatëse.

Denoncimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të pagave dhe pranisë së personelit në institucionet e vuajtjes së dënimit, por për këto pretendime nevojitet verifikim nga institucionet përgjegjëse.

Nëse Klara Qefalia, Xhemal Qefalia, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo institucioni përgjegjës për Burgun 313 dëshirojnë të reagojnë lidhur me këto pretendime, JOQ Albania është e gatshme të publikojë qëndrimin e tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit