Nuk tërhiqet “Lali Eri”, rishpall tenderin 5 mln dollarë për godinën luksoze të Ujësjellësit

Nuk tërhiqet “Lali Eri”, rishpall tenderin 5…

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës, një strukturë varësie e kryebashkiakut Erion Veliaj, ka rishpallur tenderin për ngritjen e godinës luksoze për administratën, në vlerën 5 milionë euro, disa muaj pasi e anuloi procedurën e mëparshme.

Në 26 Maj 2020, Ujësjellësi i Tiranës ka publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik thirrjen për kompanitë private që të paraqesin ofertat e tyre për ndërtimin e godinës së re të institucionit deri në 26 Qershor.

Tërmeti dhe luksi i Lalit
Tenderi për godinën e Ujësjellësit të kryeqyteti u shpall fillimisht në fund të Nëntorit 2019, pak orë pasi Shqipëria dhe, sidomos qendra e vendit përfshirë edhe Tiranës, u godinën nga lëkundjet e forta sizmike.

Në ato ditë, kur e gjithë vëmendja, energjitë dhe fondet shtetërore duhet të ishin përqëndruar tek nevojat e mijëra njerëzve që mbetën pa strehë, vartësit e Erion Veliajt menduan të shpenzonin 480 milionë lekë të reja (pa TVSH), rreth 5 milionë dollarë bashkë me TVSH, për ndërtimin e godinës së re të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Projekti, megjithëse dukej një luks i tepruar për Shqipërinë e goditur në atë kohë nga emergjenca e rindërtimit, vijoi rrugën e tij.

Në foto: Projekti i godinës luksoze për UKT

Anulimi
Tenderi për godinën e re të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, sipas parashikimeve të institucionit, duhet të përfundonte në 27 Dhjetor 2019. Por, prej asaj kohe, nuk u mësua asgjë për fatin e procedurave, pjesëmarrësit në tender dhe fituesin e mundshëm.

Vetëm së fundmi, në një vendim të Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), hidhet dritë mbi ecurinë e tenderit dhe faktin që ai ishte anuluar.

Në vendimin nr. 160, dt. 05.05.2020 të Komisionit të Prokurimeve Publike, i marrë në vijim të shqyrtimit të ankesës së një operatori konkurent, mësohet se Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka anuluar tenderin, pasi ka skualifikuar të 9 operatorët ekonomikë që kishin paraqitur ofertat e tyre.

LEXO EDHE  Ndahet nga jeta kollosi i kirurgjisë shqiptare

Në datën 6 janar 2020, pas hapjes së ofertave, autoriteti kontraktor ka shpallur renditjen e ofertave ekonomike, të cilat varionin nga 340 milionë lekë (të reja) në 479 milionë lekë (të reja). Më pas, është vendosur edhe skualifikimi i tyre, për shkak të mosplotësimit të kritereve.

Ankimimi
Pas shpalljes së këtij rezultati, konkurenti i renditur i katërti ankimoi vendimin e autoritetit kontraktor për skualifikimin nga gara.

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), pasi shqyrtoi ankesën e paraqitur, vendosi që ta rrëzojë atë, pasi nuk gjeti fakte dhe elementë që mbështesnin pretendimet kundër skualifikimit.

Në përfundimi, KPP vendosi të lejojë që autoriteti kontraktor, pra Ujësjellësi i Tiranës, të vijojë me hapat e mëtejshëm të tenderit.

Tenderi i ri në kohë pandemie
Praktikisht, vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik i dha mundësinë ndërmarrjes në varësi të Erion Veliajt, që të rishikonte vendimin për shpenzimin e 5 milionë dollarëve për një godinë luksoze.

Shqipëria, prej mesit të Marsit 2020, është në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të Covid-19, e cila dërrmoi ekonominë shqiptare pas tronditjes që financat publike morën prej tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore, e cila është në fuqi në vendin tonë prej Nëntorit 2019, mund t’u kishte shërbyer autoriteteve shtetërore për të reflektuar mbi përdorimin më efikas të fondeve publike, sidomos në ndihmë të familjeve që janë në kushtet e varfërisë ekstreme dhe të pastrehë.

Por, përkundër deklarimeve publike për mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe forcimin e shtetit social, institucionet shtetërore duket se po bëjnë pak në drejtim të lehtësimit të pasojave për qytetarët.

Nën këtë vijë sjelljeje qëndron edhe Ujësjellësi i “Lali Erit”, i cili duket i vendosur të shpenzojë 5 milionë dollarë për luks zyrash./ boldnews

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit