Numri i ulët i lindjeve, por dhe largimi i të rinjve po rrezikon zhdukjen e popullsisë. Këtë e bën të ditur INSTAT me të dhënat që tregojnë disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen. 1/3 e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 77% të bashkive në vitin 2021.
Në vitin 2021, në Bashkinë e Pustecit nuk lindi asnjë foshnjë, teksa në atë të Dropullit kanë lindur vetëm 4 bebe, ose 50% më pak se në vitin 2011. Në Bashkinë e Libohovës kanë lindur vetëm 21 foshnja, me rënie 57% nga viti 2011, ndërsa në Bashkinë e Finiqit, kanë lindur vetëm 23 bebe, ose 74% më pak se në vitin 2011. Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%. Ndërkohë Bashkia e Tropojës është në vend të dytë për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%, pasi aty lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011.
Në shumë Bashki të rinjtë ikin në emigracion, për studime, apo punë në Tiranë dhe nuk kthehen më dhe si rrjedhojë dhe lindshmëria është pakësuar. Në Shqipëri vdekjet janë shumë më të larta se lindjet, konkretisht në vitin 2021, 82% e bashkive regjistruan më shumë vdekje. Ndërkohë në 2021, rreth 11 bashki lindjet ishin më të larta se vdekjet dhe kryesisht janë të përqendruara në Veriun e vendit.
Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 më 2021. Rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore. “Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj, deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%. Ekspertët bëjnë thirrje për paketë masash që të ulë kostot për rritjen e fëmijëve dhe të mbështesë familjet e reja