Nuredin Dumani goditi policin e burgut me kovë dhe grushte

Nuredin Dumani goditi policin e burgut me…

Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti i 7 gushtit 2026 në sektorin “C” të paraburgimit nr. 313 në Tiranë, ku Nuredin Dumani dyshohet se ka goditur me kovë uji dhe më pas me grusht efektivin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sinaj. Sipas dëshmisë së efektivit, ai po ngjiste shkallët drejt katit të dytë, duke mbajtur një qese me ushqime, kur Dumani doli në korridor, e goditi me kovën e ujit dhe më pas me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar një çarje në pjesën e hundës. Sinaj iu nënshtrua më pas edhe një vizite mjekoligjore.

Sipas dëshmisë, ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgut dhe është parë nga punonjësit e policisë Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu, të cilët janë marrë në pyetje nga Policia e Burgjeve. Pamjet tregojnë Dumanin, i cili pas incidentit është larguar drejt dhomës nr. 1, ndërsa në korridor shihen uji i derdhur dhe ushqimet e shpërndara. Efektivi ka deklaruar gjithashtu se Dumani e kishte ofenduar herë pas here gjatë shërbimit, por ai nuk i ishte përgjigjur. Për momentin, Dumani nuk është marrë në pyetje lidhur me këtë incident.

Ngjarja vjen në një kohë kur Dumani mbetet një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të SPAK në disa dosje të krimit të organizuar, përfshirë “Plumbi i Artë”, ndërsa është marrë i pandehur edhe për një sërë veprash të rënda penale. Sipas akuzave të ngritura ndaj tij, ai përballet me akuza për 8 vrasje, tentativa vrasjeje, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve, grabitje me dhunë dhe armë dhe grup të strukturuar kriminal. Incidenti në burg është regjistruar ndërsa SPAK ndodhet në fazën përfundimtare të dosjes “Plumbi i Artë”, ku pritet edhe paraqitja e pretencës për të pandehurit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit