
Mykonianët kanë nisur një fushatë për të kufizuar ndotjen akustike, që po rritet në mënyrë të pakontrolluar në vendbanimin historik të Mykonos Town, duke dëmtuar funksionimin e bizneseve të tyre turistike, duke synuar bare dhe restorante të njohura të ishullit, si Caresio7, Lio, Coya, Queen, Bombooniere, Cosi, Biblos, Interni, Opia.
Ata janë të vendosur të bllokojnë projektin e ri ambicioz të biznesmenit turk, Nusret Gokce, i njohur si Salt Bae.
Kasapi dikur i varfër, që sot drejton me ndihmën e investitorëve 22 restorante të shtrenjta në mbarë botën, mes tyre edhe një në Mykonos, po përgatitet të zgjerojë biznesin e tij tashmë ekzistues në ishull, duke shtuar një klub argëtimi që do të presë kryesisht të pasurit, që shpenzojnë shumë.
Këtë e kishte bërë të ditur vetë ai përmes llogarisë së tij në Instagram me 51 milionë ndjekës, në fund të nëntorit të kaluar, pas një sezoni mjaft të suksesshëm me xhiron e kasave të tij mbi 11 milionë euro.
Në fakt, ai kishte postuar edhe një video të lidhur, ku njoftonte sipërmarrjen e tij të re, për të cilën vlerëson se do të rrisë xhiron totale të biznesit të tij në Mykonos në 20 milionë euro e më shumë, një objektiv i vështirë, por jo i pamundur për turkun që ka klientela për ta arritur atë.