Nxitimi i Bashkisë për të shembur godinën la nën rrënoja materiale me vlerë të artistëve dhe teatrit

Nxitimi i Bashkisë për të shembur godinën…

Nxitimi i Bashkisë së Tiranës për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, në orët e natës la nën rrënoja një pjesë të mirë të dëshmive dhe dokumenteve të përdorura në dekada nga aktorë e regjisorë. Pa asnjë inventar paraprak, çdo gjë përfundoi në grumbullin e inerteve e për këtë regjisori dhe aktori Edmond Budina thotë se do të paguajnë përgjegjësit. 

Nën rrënoja ka ende dosje, si dëshmi të fundit nga Teatri Kombëtar.

Perdet e skenave në këtë teatër nuk do të hapen më, ato mbetën aty mes rrënojave dhe kova e ekskavatorit po tregon forcën ndaj tyre.

Në inerte gjen ende një pjesë të shkronjave të teatrit eksperimental.

Posterat tregojnë për një tjetër shfaqe teatrale, por këtë herë ajo nuk do të luhet në skenën e Teatrit Kombëtar.

Me regjisorin Edmond Budina intervista këtë herë ishte ndryshe, jo më me sfond nga godina e teatrit, por nga pluhuri i ngritur prej inerteve të teatrit që sot nuk është më.

Budina: Nuk na lanë kohë as ti merrnim, erdhën me automatikë si me qenë terroristë. Terroristë janë këta.

Veç humbjes së teatrit si godinë, nën gërmadhat e tij janë varrosur edhe shumë materiale me vlerë që i përkasin këtij institucioni.

Budina: Një palë tirqe, pantallonat prej leshi të malësorëve që janë origjinale të vitit 1900, 1920, 1930. Aty ka kostume të Hamletit që ka luajtur Naim Frashëri, të të gjithë aktorëve. Të gjitha janë të varrosura.

Në lartësinë e kokave tona ekskavatori punonte pa pushim, duke shkaktuar dhimbje për regjisorin.

Budina: Dhimbje, trishtim por kjo të rrit edhe inatin. Ta shohësh sot në këtë mënyrë është si të ta shkulin zemrën nga vendi.

Ndërkohë që zhvillonim intervistën, kalimtarët përgëzonin Budinën për qëndresën e tij për teatrin.

Pedonalja u tejmbush nga qytetarët të cilët bënin një foto të teatrit që tashmë mbetet veç një pjesë e historisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit