“Nxito re”, para se të hipte te makina e turqve, Sokrat Vata i kërkoi DJ të klubit ta çonte në spital

“Nxito re”, para se të hipte te…

Të tjera detaje kanë dalë nga dosja hetimore për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje për të cilën si autor i dyshuar akuzohet Sokrat Vata.

Sipas dëshmisë së një prej punonjësve të klubit, pas ngjarjes Vata i ka kërkuar DJ-it të lokalit që ta dërgonte në spital, pa i treguar se çfarë kishte ndodhur. Dëshmitari tregon se në atë moment Vata ishte i gjakosur dhe mbante dorën në pjesën e barkut.

“Rreth orës 05:00 të datës 18.08.2026 pashë rojet e sigurisë që iknin me vrap në drejtim të hyrjes së klubit. Në vazhdim, kur isha te pjesa e restorantit, kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur, të cilët më thanë: ‘Merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër’”, ka deklaruar ai para hetuesve.

Më tej, dëshmitari tregon se Sokrat Vata iu afrua i gjakosur dhe i kërkoi me urgjencë që ta çonte në spital.

“Unë njoftova menaxherin në lidhje me situatën dhe më pas ika me vrap për të marrë makinën te parkimi. Kur dola jashtë pashë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë”, vijon dëshmia.

Sipas tij, Vata hipi në pjesën e pasme të automjetit dhe u nisën në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit. Gjatë rrugës, ai i ka kërkuar shoferit të vijonte drejt, por pas pak minutash i ka kërkuar të ndalonte në një rrugë me kalldrëm.

“Pas dy-tre minutash, kur shkuam në një rrugë me kalldrëm, Sokrati më ka thënë ‘ndalo këtu’ dhe ka ikur zbathur. Disa metra pak larg makinës vura re që Sokrati hodhi diçka me forcë”, ka deklaruar dëshmitari.

Detaji i fundit është pjesë e materialeve që po shqyrtohen nga hetuesit për të rindërtuar lëvizjet e të dyshuarit pas ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë mund të ketë hedhur ai gjatë largimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit