Nxorën ‘gropë’ Gjinarin/ Vëllezërit Hysa marrin tenderin 220 milionë për rikonstruksionin e 970 m rrugë

Nxorën ‘gropë’ Gjinarin/ Vëllezërit Hysa marrin tenderin…

(Në foton kryesore – kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Salla)

Ju kujtohet çështja famoze e rrugës “Elbasan-Gjinar”? Për të cilën jepeshin e jepeshin miliona nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, por punimet në aks nuk përfundonin?

Prokuroria nisi të hetonte për shkak se 10 vjet pas nisjes së punimeve për 23 kilometra rrugë mes Elbasanit dhe Gjinarit, ajo nuk përfundoi asnjëherë dhe pjesë të ndryshme të rrugës ishin dëmtuar nga rrëshqitja pas punimeve të kryera në të.

Një nga kompanitë e angazhuara si nënkontraktor, “Vëllezërit Hysa”, pronarët e së cilës u arrestuan pas hetimeve të nisura kryesisht në vitin 2016 nga Prokuroria e Elbasanit, (për tu liruar më pas) kanë fituar një tjetër tender – atë të rikonstruktimit të rrugës në fshatin Qyrkan, Cërrik.

Të dhënat e tenderit

Tender me flamur të kuq

Më herët gjatë kësaj jave, Bashkia Cërrik – e drejtuar nga Andis Salla, ka shpallur fituesin e tender me objekt “Rikonstruksion i rrugës Qyrkan”, kompaninë “Vëllezërit Hysa”.

Rruga e fshatit Qyrkan

Sipas dokumenteve zyrtare të njoftimit të tenderit, kompania me pronarë vëllezërit Hysa – Agron dhe Kujtim dhe Flutura Hysën, do të marrin nga Bashkia e Çërrikut rreth 220 milionë lekë për rikonstruksionin e 970 metra rrugë.

Faksimile nga studimi i projektit të rikonstruktimit të rrugës

Tenderi i fituar cilësohet me *flamur të kuq – në kushtet e mungesës së konkurrencës, ku “Vëllezërit Hysa” është kompania e vetme pjesëmarrëse.

Njoftimi i firmës fituese të tenderit

Pronarët e “Vëllezërit Hysa”, të arrestuar për abuzimet në aksin Elbasan-Gjinar

Pronarët e kompanisë “Vëllezërit Hysa” janë arrestuar dy vite më parë, të akuzuar për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën.

Agron dhe Kujtim Hysa, u vunë në pranga në fillim të vitit 2018, pasi Prokuroria e Elbasanit zbuloi se kompania që kanë nën pronësi “Vëllezërit Hysa”, nuk kishin kryer punime në aksin rrugor “Elbasan-Gjinar”, për të cilën ishte angazhuar si nënkontraktor.

Bashkë me vëllezërit Hysa, prokuroria e Elbasanit urdhëroi edhe arrestimin e dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.

Megjithatë, Agron dhe Kujtim Hysa fituan shpejt lirinë, pasi gjykata rrëzoi më vonë masën e sigurisë “arrest me burg”. Më pas, çështja ndaj tyre u pushua nga Gjykata e Elbasanit.

/Gazetaatdheu.com/

*Shënimi me flamur të kuq i një procedure prokurimi, tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin, ose jo-etike të biznesit, që lidhet kryesisht me mosrespektimin e ligjeve anti-korrupsion.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit